S’ka kuorum - fjalia e legjislaturës aktuale

S’ka kuorum - fjalia e legjislaturës aktuale

Aktuale November 29, 2020 - 16:59

Katërmbëdhjetë gushti është data e fundit kur Kuvendi i Kosovës ka arritur ta miratojë një ligj. Bëhet fjalë për Ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë, i cili ishte mbështetur edhe nga deputetët e opozitës.

Në agjendën e kuvendit është edhe Ligji për rimëkëmbjen ekonomike, i miratuar në parim pas gjashtë tentimeve, por që nuk po arrin të kalohet në leximin e dytë, për shkak të mungesës së kuorumit.

Edhe gjatë seancës të së premtes, shumë projektligje nuk kaluan.

Organizatat që merren me monitorimin e punës së kuvendit kërkojnë që koalicioni qeveritar të ofrojë zgjidhje të shpejtë për zhbllokimin e kësaj situate, pasi aktualisht, vetëm 9 për qind e agjendës legjislative është realizuar.

“Vetëm 13 projektligje, nga 143, janë miratuar në kuvend, 11 prej tyre kanë të bëjnë me çështje financiare: ose janë marrëveshje ndërkombëtare për hua ose të ndërlidhura me investime të huaja”.

“Pjesa më e madhe e tyre janë miratuar pas muajit qershor, kur ishte votuar Qeveria Hoti, dhe pjesa më e madhe e tyre janë votuar më përkrahjen e opozitës”, konfirmon për Radion Evropa e Lirë, Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI).

Ai vlerëson se legjislatura aktuale është më e dobëta, si në aspektin ligjvënës, ashtu edhe atë përfaqësues.

Kuvend i interpelancave

Gjatë kësaj legjislature, kuvendi ka mbajtur 36 seanca, ku 9 prej tyre kanë qenë interpelanca të ndryshme.

“Jo që jemi kundër interpelancave, por kuvendi nuk po miraton projektligje”, tha Mexhide Demolli- Nimani nga organizata “Fol”.

Ajo, megjithatë, konsideron se barra kryesore mbi këtë mungesë të funksionimit të kuvendit, bie mbi koalicionin qeverisës.

“Nuk dua ta amnistoj opozitën, por përderisa ky koalicion arriti se si arriti ta krijojë shumicën, barra kryesore bie mbi ta. Aktualisht nuk dihet dhe pak ka gjasa që ta ketë numrin e njëjtë (të votave). Por edhe deputetët e opozitës kanë obligimet e tyre ligjore dhe duhet të jenë prezent nëpër seanca” tha Demolli-Nimani për Radion Evropa e Lirë.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni KETU