Çdo shtetas i Kosovës mbi moshën 35 vjeçare mund të kandidojë për president

Çdo shtetas i Kosovës mbi moshën 35 vjeçare mund të kandidojë për president

Aktuale November 25, 2020 - 13:46

Dorëheqja e Hashim Thaçit nga posti i presidentit pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale për krime lufte me seli në Hagë të Holandës, ka hapur rrugën për propozimet lidhur me pozitën e presidentit.

Pas nominimit të Ramush Haradinajt nga partia e tij, AAK-ja për postin e të parit të vendit, sot edhe Partia e Drejtësisë, dega në Gjilan ka kërkuar nga koalicioni qeverisës NISMA-AKR-PD, që kandidati për president të jetë kryetari i kësaj partie, Ferid Agani.

Por, sipas Kushtetutës së vendit, president mund të bëhet çdo shtetas kosovar mbi moshën 35 vjeçare, i cili siguron votat e domosdoshme për nominim, raporton Zëri.info

Në kapitullin V të Kushtetutës të Republikës së Kosovës, Presidenti i Republikës së Kosovës, neni 85 [Kualifikimi për Zgjedhjen e Presidentit] para sheh që “president i Republikës së Kosovës mund të zgjedhet çdo shtetas i Republikës së Kosovës, i cili e ka mbushur moshën tridhjetë e pesë (35) vjeçare”.

Ndërsa, neni 86 i Kushtetutës saktëson se secili shtetas i Republikës së Kosovës mund të nominohet si kandidatë për President të Republikës së Kosovës, nëse ajo apo ai siguron nënshkrimet e të paktën tridhjetë (30) deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

“Deputetët e Kuvendit mund të nënshkruajnë vetëm për një kandidatë për President të Republikës së Kosovës. Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjedhet President i Republikës së Kosovës”, thuhet në Kushtetutë.

Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, në këtë rast shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh.

Presidenti sipas Kushtetutës zgjedhet nga Kuvendi, me votim të fshehtë. Zgjedhja e tij, sipas legjislacionit në fuqi duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual.

Aktualisht ky post po udhëhiqet nga kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka marrë zyrtarisht pozitën e ushtrueses së detyrës së presidentit, pas dorëheqjes së Thaçit.

Sipas Kushtetutës, posti i ushtruesit të detyrës së Presidentit, nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj.

Kosova me dorëheqjen e presidentit është ballafaquar edhe në vitin 2010. Në këtë vit, Fatmir Sejdiu dha dorëheqje nga posti i presidentit, pas konstatimit e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës se ai e "ka shkelur seriozisht Kushtetutën", me mbajtjen e dy posteve atë të presidentit të Kosovës dhe të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ushtrues i detyrës së Presidentit të Republikës në atë kohë ishte bërë Jakup Krasniqi, i cili ishte Kryetar i Kuvendit. /Zëri