Foto:Laura Hasani

"Dhuna ndaj gruas duhet të marr fund", thotë kryeministri

Aktuale November 25, 2020 - 12:58

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti hapi fushatën e 16 ditëve të aktivizmit global me moton “Financo, Përgjigju, Parandalo dhe Mbledh të dhëna”, ku theksoi se dhuna ndaj gruas duhet të çrrënjoset pa asnjë përjashtim, sepse përveç se është shkelje e të drejtave njerëzore, është problem shoqëror.

Në komunikatën e dërguar për media theksohet se Hoti foli edhe për diferencat e mëdha gjinore në tregun e punës në vend, duke theksuar se deri në 4 herë meshkujt janë më të privilegjuar, më të përfaqësuar në tregun e punës se sa gratë.

Po ashtu, duke folur për ndikimin e pandemisë COVID -19 në zhvillimin ekonomik, me theks në ndërmarrjet që menaxhohen nga gratë, Hoti tha se sot përmbyllet një cikël i aktiviteteve në kuadër të masës së 10-të, për mbështetje financiare për gratë në biznes me 2 milionë euro, prej të cilave 1 milion ndahen menjëherë dhe 1 milion deri në fund të këtij viti.

Hoti po ashtu u zotua se Qeveria e Republikës së Kosovës do t’i kryej të gjitha obligimet ligjore dhe institucionale për parandalimin e dhunës ndaj grave, si kauzën më fisnike të shoqërisë. 

Fjala e plotë e Hotit:

Faleminderit shumë zonja Gusia,

Më lejoni të ju përshëndes të gjithëve, zonja, përfaqësuese të kopshteve private,

Unë në fakt jam i nderuar që jam pjesë e këtij organizimi vjetor të Agjencisë për Barazi Gjinore bashkë me gratë dhe zonjat nga shoqatat e ndryshme në shënim të kësaj fushate dhe në Kosovë, pra prej 25 nëntor deri më 10 dhjetor të fushatës për eliminimin e dhunës ndaj gruas, një fenomen ky që duhet të çrrënjoset pa asnjë përjashtim dhe unë e përgëzoj zonjën Gusia dhe të gjithë bashkëpunëtorët e saj, shoqatat e ndryshme, juve për aktivitetin që keni ndërmarrë në vazhdimësi në funksion të kësaj kauze fisnike. Të gjithë jemi njerëz me familje, me gra, vajza e motra në shtëpi dhe e dimë se sa e rëndësishme është që vajzat, gratë, motrat, nënat tona kudo që janë të kenë trajtimin më së pari njerëzor, por edhe trajtimin plotësisht të barabartë në shoqëri. Edhe në këtë drejtim nuk do të kursehemi nga asgjë, nga asnjë aktivitet që e kemi edhe obligim ligjor, institucional por edhe obligim njerëzor që të kujdesemi për një shoqëri të barabartë.

Mua më vjen mirë që sot gjithashtu përmbyllet një cikël i aktiviteteve në kuadër të masës së 10-të për mbështetje financiare për gratë në biznes, gratë në ekonomi që tentojnë të promovojnë dhe t’i mbështesin gratë që janë të përfshira në forma të ndryshme në ekonomi dhe përgëzoj zonjën Gusia dhe stafin e saj, bashkëpunëtorët për një punë efikase në këtë drejtim dhe për lobimin e fuqishëm që bëjnë brenda qeverisë në këtë drejtim. I jam mirënjohës asaj për bashkëpunimin që kemi gjatë këtyre muajve të punës tonë të përbashkët në qeveri dhe i garantoj edhe asaj edhe juve se nuk do të mungojë aspak kjo mbështetje sepse unë besoj që është kauza më fisnike e shoqërisë që mund të ketë, për t’u angazhuar në të gjitha format e mundshme edhe ka fuqizimi i ligjit dhe ka mbrojtja e grave ndaj dhunës, por në veçanti përmes këtyre aktiviteteve dhe marrëveshjeve që sot i nënshkruam që e fuqizojnë pjesëmarrjen e grave në ekonomi dhe ndikojnë në pavarësinë ekonomike dhe financiare të grave. Sepse, unë personalisht besoj që forma më e fuqishme e ndikimit afatgjatë dhe konsolidimit afatgjatë të pozitës së gruas në shoqëri është duke i pavarësuar ato ekonomikisht dhe financiarisht, duke i bërë kontribuuese e të barabarta të të ardhurave të familjes.

Dhe besoj që, kur kjo tash ndërlidhet me ndihmën që znj. Gusia e ka paraparë dhe që e ka mbrojt nga dita e parë kur e kemi dizajnuar këtë masë që të merret në konsideratë në veçanti financimi i çerdheve private dhe publiko-private sigurisht, dhe në veçanti çerdheve me pronare gra, besoj që kombinohen perfekt edhe nevoja që të fuqizohet roli i gruas në biznes por, në veçanti të kontribuojmë edhe në edukimin e hershëm të fëmijëve të vajzave dhe djemve në mënyrë që ata të rriten dhe edukohen në një shoqëri ku barazia gjinore është normë e jo rregull të cilit ne duhet t’i nënshtrohemi, por është diçka që shkon në ndërdijen tonë dhe është komplet e natyrshme pastaj sjellja e këtyre fëmijëve në shoqëri.

Është fakt gjithashtu që kemi diferenca të mëdha gjinore në tregun e punës, që shkojnë në 1 me 4, 3, ku deri në 4 herë meshkujt janë më të privilegjuar, më të përfaqësuar në tregun e punës se sa gratë dhe kjo gjendje sigurisht do të duhet të ndryshojë.

Të gjitha studimet që ekzistojnë për rëndësinë e barazisë gjinore tregojnë që për aq kohë sa shoqëritë nuk janë të barabarta, përveç se është shkelje e të drejtave njerëzore, është problem edhe shoqëror edhe ekonomik, sepse gjysma e potencialit ekonomik, social, etj. nuk është vënë në funksion të zhvillimit të shoqërisë, prandaj duhet të gjithë të angazhohemi në këtë drejtim.

Unë besoj që marrëveshjet që nënshkruhen sot janë të rëndësisë së shumëfishtë, në veçanti për të liruar gratë, prindërit përgjithësisht nga nevojat e përditshme familjare, për t’iu dhënë atyre mundësinë që të mos tërhiqen nga tregu i punës, pra të mos tërhiqen nga ushtrimi i profesionit të tyre, sepse çdo tërheqje, përveç se ka ndikim në të ardhurat e familjes, ndikon sigurisht edhe në aftësinë e atyre vajzave, grave që prapë të integrohen më vonë në tregun e punës.

Jam i vetëdijshëm që kjo pandemi na ka prekur të gjithëve pa përjashtim, edhe gratë në biznes, por edhe ato në shtëpi, edhe të ardhurat e familjeve tona dhe unë shpresoj që kjo masë, sado e vogël që është në shumë prej 2 milionë, prej të cilave 1 milion ndahen tash menjëherë dhe 1 milion besoj që brenda këtij viti, në javët e ardhshme dhe kjo sadopak e zbut këtë problem, përtej masave të përgjithshme të mbështetjes ekonomike, ku janë përfshirë të gjithë të punësuarit, pavarësisht gjinisë së tyre.

Më vjen mirë që kjo ngjarje sot organizohet në ditën e parë të kësaj fushate dhe ta kuptojmë si mbështetje të Qeverisë në promovimin e rolit të gruas në shoqëri.

Pasdite dhe ditët e ardhshme do të kemi plot aktivitete të ndryshme, për t’i prekur të gjitha elementet e nevojshme që ndikojnë në luftimin e kësaj dukurie negative dhe promovimin e aktiviteteve për të çuar drejt një shoqërie të barabartë në aspektin gjinor.