Spanja del kundër opinionit të GJND-së për Kosovën, thotë se shpallja e pavarësisë shkeli të drejtën ndërkombëtare

Spanja del kundër opinionit të GJND-së për Kosovën, thotë se shpallja e pavarësisë shkeli të drejtën ndërkombëtare

Aktuale November 24, 2020 - 01:26

Ambasadori spanjoll në Serbi, Raul Bartolome Molina, ka thënë se shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës është kundër të drejtës ndërkombëtare, transmeton Zeri.info.

Këtë koment ai e bëri gjatë një takimi që e zhvilloi me ministrin e Mbrojtjes të Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, duke e shprehur kështu qëndrimin e Spanjës sa i përket Kosovës, siç raportojnë mediat serbe.

Stefanoviqi "e ka falënderuar për qëndrimin parimor të mbretërisë së Spanjës për çështjen e mosnjohjes së shpalljes së njëanshme të pavarësisë së të ashtuquajturës Kosovë, që është tregues i qëndrueshmërisë në respektimin e sovranitetit të shteteve të tjera".

Ai citohet t'i ketë thënë ambasadorit se Serbia e mbështet fuqishëm integritetin territorial të Spanjës.

"Ambasadori Molina deklaroi qëndrimin e palës spanjolle se shpallja e njëanshme e pavarësisë së të ashtuquajturës Kosovë është kundër ligjit ndërkombëtar dhe se mbështet angazhimin e UNMIK-ut dhe KFOR-it në stabilizimin e situatës në Kosovë dhe Metohi, si pjesë e Republikës së Serbisë", citohet të ketë thënë ambasadori spanjoll.

"Zëri" ua kujton dy bashkëbiseduesve se, me kërkesë të Serbisë, shpallja e pavarësisë së Kosovës është konstatuar e ligjshme nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Më 22 korrik 2010, kjo gjykatë kishte publikuar opinionin këshilldhënës lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Gjatë fjalës së tij, kryetari i Gjykatës, Hiasashi Ovada, pati thënë se "shpallja e pavarsisë së Kosovës më 17 shkurt të 2008 nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare".

Me 10 vota pro dhe 4 kundër, gjykata doli me mendimin se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Sipas gjykatës, nga të gjitha të dhënat, pavarësia e Kosovës nuk ka shkelur as rezolutën 1244, si dhe kornizën kushtetuese të UNMIK-ut të asaj kohe. /Zëri