Ahmeti: Mora premtime se rryma kthehet për dy orë

Ahmeti: Mora premtime se rryma kthehet për dy orë

Aktuale November 23, 2020 - 19:46

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka reaguar edhe një herë në lidhje me problemet me energjinë elektrike në kryqytet.

Ahmeti ka sqaruar se në një bisedë që ka pasur me KEDS-in, ia kanë konfirmuar se energjia elektrike në disa lagje të Prishtinës pritet të rikthehet pas dy ore.

“Edhe njëherë kabllot e KOSTT që furnizojnë trafot e KEDS janë djegur. Këto janë asete të KOSTT. Shpesh këto po shkaktojnë drejtime gishtash te njëri tjetri. Sot disa herë na lajmëruan që KEDS po asiston KOSTT për ti rregulluar. Në bisedën e fundit - premtuan se rregullohet brenda dy orësh”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Ai ka informuar qytetarët se Komuna që ai drejton nuk ka kompetenca që ta ndal ose ta lëshojë rrymën, ndërsa ka thënë se kjo është përgjegjësi e KOSST-it, KEDS-it dhe KEK-ut.

“Ky status është informues. Komuna nuk ndal dhe nuk lëshon rrymë. KOSTT është kompani Publike e nivelit qendror dhe ka përgjegjësinë e përçimit të rrymës prej KEK deri tr KEDS, pra tensionin e lartë. KEDS është kompani private dhe blen rrymë nga KEK dhe importues, dhe pastaj e paguan KOSTT për kalimin e rrymës nëpër rrjetin e tyre deri te trafo. Pastaj na e sjell në shtëpitë tona dhe na e shet. Meqenëse nuk i lajmërohen të gjithë qytetarëve, po mundohemi të ju mbajme të informuar”, ka thënë i pari i Prishtinës, duke shtuar se pas përfundimit të kësaj krize, do të kuptojë në detaje prishjen dhe do marrin masa që të sigurohen se situata të tilla nuk ndodhin më./Zëri