Shpërbëhet Grupi Parlamentar 6+, i bashkohet Listës Serbe

Shpërbëhet Grupi Parlamentar 6+, i bashkohet Listës Serbe

Aktuale November 23, 2020 - 14:33

Në seancën e sotme parlamentare nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, bëri të ditur se edhe deputeti Adem Hodza është larguar nga Grupi Parlamentar 6+ dhe i është bashkuar Listës Serbe.

Rrjedhimisht në këtë formë Grupi Parlamentar 6+ shpërbëhet.

“Largohet Adem Hodza nga Grupi Parlamentar 6+ dhe i bashkëngjitet Listës Serbe.

Grupi Parlamentar 6+ nga nesër nuk ekziston më, i humb të drejtat e përfaqësimit në komisione parlamentare, përveç në Komisionin për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve.

Sa i përket përfaqësimit në komisione, plotësimi do të bëhet nga Grupi Parlamentar i pozitës, në këtë rast në komision plotësimi do të bëhet nga një deputet i LDK-së”, ka thënë ajo

Deputetët nuk arritën të miratojnë as raportin vjetor të paraqitjes së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2019.

Seanca e sotme, e cila ishte vazhdim i seancës së javës së kaluar, është ndërprerë për të vazhduar në seancën e radhës së Kuvendit të Kosovës, njofton “Klan Kosova”.

Në mungesë të kuorumit, deputetët nuk miratuan asnjë prej pikave të rendit të ditës, duke përfshirë rezolutën për të pagjeturit, projektligjin për votimin e mërgatës në ambasada dhe konsullata, si dhe disa raporte të agjencive shtetërore.