Infektuar: 35549
Shëruar: 21746
Vdekur: 939
NATO-ja tregon se a ka rrezik që trupat amerikane të tërhiqen edhe nga Kosova, pas Irakut dhe Afganistanit
Foto: Laura Hasani

NATO-ja tregon se a ka rrezik që trupat amerikane të tërhiqen edhe nga Kosova, pas Irakut dhe Afganistanit

Aktuale November 20, 2020 - 08:30
Image

Departamenti amerikan i Mbrojtjes (Pentagon) ka filluar me planifikimin e tërheqjes së trupave amerikane nga Iraku dhe Afganistani, pas një vendimi të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Por pavarësisht se Trumpi ka marrë vendim të tërheqë trupat në dy shtete, ku siguria vazhdon të jetë një sfidë, kjo në Kosovë nuk pritet të ndodhë.

Nga NATO-ja i kanë thënë “Zërit” se aleatët janë të përkushtuar të ruajnë forcat e tyre në misionin e KFOR-it, që përbëhet prej mbi 3000 trupave.

Një zyrtar i NATO-s ka hedhur poshtë mundësinë që trupat e SHBA-së të tërhiqen nga Kosova pas një vendimi për tërheqje në Afganistan dhe Irak.

“NATO-ja është plotësisht e përkushtuar në sigurinë e Kosovës. Ne vlerësojmë rregullisht misionin tonë të KFOR-it dhe duke u bazuar në atë që të gjithë aleatët bien dakord që ne duhet të ruajmë forcën aktuale të afërsisht 3.500 trupave. Në përputhje me mandatin e Kombeve të Bashkuara, misioni ynë KFOR do të vazhdojë të sigurojë një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”, ka thënë ky zyrtar i NATO-s për “Zeri.info”.

Për NATO-n i rëndësishëm është dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, për të cilin thonë se e mbështesin plotësisht.

“NATO-ja gjithashtu mbështet plotësisht vazhdimin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja midis Beogradit dhe Prishtinës. Kjo është kritike për Beogradin dhe Prishtinën, por edhe për paqen dhe sigurinë rajonale”, shtoi ai.

Rreziku është i vogël që një vendim i ngjashëm të merret edhe për Kosovën

Nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) thonë se për momentin nuk ka rrezik që trupat amerikane të tërhiqen nga Kosova, por drejtori i kësaj qendre, Mentor Vrajolli, ka thënë për “Zërin” se institucionet vendore duhet ta kenë të qartë se KFOR-i në Kosovë nuk ka mandat të përhershëm dhe se duhet të përgatiten për të ndërtuar kapacitete mbrojtëse për të qenë të gatshme ta ruajnë sovranitetin.

“Rreziku i tërheqjes se trupave amerikane nga Kosova duket të jetë relativisht i vogël. Mirëpo, gjithsesi institucionet e Kosovës duhet të jenë të vetëdijshme se KFOR-i nuk është mision me mandat të përhershëm e që synon të qëndrojë në Kosovë përgjithmonë. Andaj, përpjekjet për të ndërtuar kapacitetet e plota mbrojtëse duhet të jenë intensifikuara. Respektivisht Kosova sa më parë duhet të jetë e gatshme që të mbrojë sovranitetin e saj nga çfarëdo kërcënimi, i cili mund ta kanosë atë. E për t’u siguruar që kjo do të ndodhë Ministria e Mbrojtjes gjithsesi duhet të jetë më transparente në lidhje me hapat të cilat është duke i ndërmarrë”, ka thënë Vranjolli për “Zërin”.

Rrezikun për një tërheqje të mundshme të trupave amerikane nga Kosova e përjashton edhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi.

Ndonëse e quan të papritur vendimin e Trumpit për tërheqje të trupave nga Afganistani dhe Iraku, Ibishi thotë se Kosova është rast “Sui-generis” dhe se interesat amerikane në Kosovë dallojnë nga ato në këto dy shtete.

Njohësi i çështjeve të sigurisë vlerëson se Ballkani është rajon, i cili mund të trazohet shpejt, ndërsa qëndrimin e trupave amerikane në vendin tonë e lidh, përveç të tjerash, edhe me ndikimin që Rusia po tenton ta shtrijë në këtë rajon.

“Rasti i Kosovës është rast i veçantë dhe unë mendoj se nuk do të ndodhë një tërheqje e trupave amerikane, pasi janë interesat e mëdha edhe për shkak se Ballkani është çdoherë një vend që mund të trazohet, sidomos për çështjeve të pazgjedhura, por edhe për shkak të interferimit të Rusisë në këtë pjesë, që është më agresive dhe për këtë SHBA-ja nuk do të heqë dorë nga prezenca në Kosovë, qoftë si mision i KFOR-it ose edhe me bazën amerikane ‘Bondsteel’”, thotë Ibishi.

Tërheqja e trupave amerikane nga Kosova ishte kthyer në temë ditore në fillim të këtij viti, kur Qeveria, që në atë kohë udhëhiqej nga Albin Kurti, refuzonte të hiqte taksën ndaj Serbisë, e cila kishte bllokuar dialogun në Bruksel mes dy vendeve.

Ishte senatori amerikan David Perdue, i cili kishte deklaruar se nëse Qeveria e Kosovës nuk e heq taksën ndaj Serbisë, atëherë SHBA-ja duhet të rishqyrtojë praninë e saj në këtë vend.

“Për më shumë se dy dekada forcat amerikane kanë ndihmuar në ruajtjen e paqes mes Kosovës dhe Serbisë. Tani, me progresin e bërë historik, Kosova duhet të bëjë pjesën e vet dhe të shfuqizojë të gjitha detyrat e vendosura ndaj Serbisë. Nëse Kosova nuk është plotësisht e përkushtuar për paqe, atëherë SHBA-ja duhet të rishqyrtojë praninë e saj atje”, shkruante Perdue në një shkrim në “Twitter”, i cili menjëherë ishte shpërndarë edhe nga i dërguari i posaçëm i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, duke i dhënë mbështetje kësaj deklarate. /Zëri