Musliu-Shoshi kritikon Hotin: E ke vënë flamurin e Kosovës te dera e jo në tavolinë
Deputetja nga radhët e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka kritikuar kryeministrin e vendit Avdullah Hotin, i cili sipas saj e ka vënë flamurin e Kosovës te dera e jo në tavolinë, ashtu siç e obligon ligji, përcjell “Zeri.info”.
Sipas saj, Ligji për Protokollin e Shtetit obligon Hotin që gjatë mbajtjes së takimeve të vendosen flamuj të vegjël shtetërorë në tavolinë ose prapa tij flamuj të mëdhenj shtetërorë.
"Kryeministër, jeni rangu më i lartë i pushtetit ekzekutiv në Kosovë e nga ju pritet sjellje dinjitoze karshi simboleve dhe shtetit tonë", ka shkruar ajo në "Facebook", duke iu referuar paraqitjes së Hotit në pjesëmarrjen e tij virtuale në Samitin e Sofjes.
Ndërkaq, mëngjesin e sotëm ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, kishte thënë se institucionet e Kosovës në asnjë rast nuk duhet të përfaqësohen pa simbole shtetërore.
Sipas saj, kohëve të fundit janë vërejtur tendenca dhe insistime që në forume të ndryshme zyrtarët e lartë të Kosovës të shmangin paraqitjen pranë simboleve shtetërore, sipas kërkesës së Serbisë, me qëllim të bllokimit të pjesëmarrjes së Kosovës në organizime rajonale dhe ndërkombëtare. /Zëri