Liderët shqiptarë shprehen të tronditur nga sulmi i sotëm në Francë, “terroristët nuk do të fitojnë kurrë”
Foto: AFP

Liderët shqiptarë shprehen të tronditur nga sulmi i sotëm në Francë, “terroristët nuk do të fitojnë kurrë”

Aktuale October 29, 2020 - 18:31

Një sulm me thikë, i cili u cilësua si terrorist, ka ndodhur sot në Nice të Francës. Në këtë sulm u vranë tre persona, ku njërit edhe iu pre koka dhe u plagosën disa të tjerë.

Për këtë, kanë reaguar edhe të krerët e vendit.

Presidenti i Kosovës, përmes një postimi në “Twitter”, e dënoi këtë sulm, duke u shprehur i bindur se “terroristët nuk do të fitojnë kurrë”.

“Dënoj ashpër sulmin terrorist në Nice. Kosova qëndron pran popullit dhe Qeverisë së Francës në këtë moment të vështirë, mendjet tona janë me familjet e viktimave dhe të plagosurve. Terroristët nuk do të fitojnë kurrë”, thuhet në postimin e Thaçit, raporton Zeri.info.

Po ashtu, për këtë sulm ka reaguar edhe kryeministri i vendit, Avdullah Hoti. Ai thekson se është i tronditur me këtë lajm dhe i dënon sulmet e fundit terroriste në Francë.

“I tronditur me lajmin e sulmit terrorist në Nice të Francës. E dënoj fuqishëm sulmin e sotëm në Nice dhe sulmet e fundit terroriste në Francë. Ngushëllimet tona më të thella dhe të përzemërta për familjet e viktimave dhe popullit të Francës”, shkruan Hoti në një postim në “Twitter”.

I pari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, deklaroi se Kosova “në këto kohë të errëta”, qëndron afër Francës.

“I tronditur nga sulmi terrorist në Nice. Në këto kohë të errëta, populli i Kosovës është afër popullit të Francës në mbështetje të vlerave tona të përbashkëta demokratike. Ngushëllime për familjet e viktimave të këtij sulmi të tmerrshëm”, shkruan Veseli.

Edhe Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, e ka dënuar sulmin në Nice,duke i shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave.

“Shumë i tronditur nga sulmi i sotëm terrorist në Nice. Ngushëllimet më të sinqerta për familjarët e viktimave dhe shërim sa më të shpejtë të gjithë të lënduarve. Dënoj me forcë sulmin dhe solidarizohem me popullin mik francez, Presidentin Macron, si dhe me autoritetet franceze në përballje me këto akte barbare që synojnë të mbjellin frikë e terror”, shkruan Meta.

Sipas gazetës franceze “Le Figaro”, policia komunale e Nices ka arrestuar personin e dyshuar për vrasjet i cili është dërguar në spital pasi është qëlluar me plumb. Autori i vrasjeve makabre është 21 vjeçari nga Tunizia, Brahim Aoussaoui. Ai nuk është azilkërkues në Francë, por ka shkuar atje në fund të shtatorit nëpërmjet Lampedusas, ujdhesë në Detin Mesdhe. Ai ka thënë se ka vepruar i vetëm pa u nxitur nga dikush.

Sulmi ka filluar rreth orës 9 të mëngjesit gjatë një meshe në bazilikën “Notre Dame”, që është kisha më e madhe katolike në Nice. /Zëri