Serbia liron Agim Gjocajn, MPJ-ja kërkon lirimin e menjëhershëm edhe të Nezir Mehmetajt
Foto: Ilustrim / militaryshop

Serbia liron Agim Gjocajn, MPJ-ja kërkon lirimin e menjëhershëm edhe të Nezir Mehmetajt

Aktuale October 29, 2020 - 16:54

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD), ka njoftuar se Serbia ka liruar Agim Gjocajn, ndërsa ka kërkuar lirimin e menjëhershëm edhe të Nezir Mehmetajt.

“Gjocaj u arrestua rreth dy javë më parë në mënyrë flagrante gjatë udhëtimit të tij transit nëpër territorin e Serbisë, ndërsa shtetasi tjetër kosovar, Nezir Mehmetaj vazhdon të mbahet padrejtësisht në paraburgim tash e dhjetë muaj. MPJD bën thirrje që njëherë e përgjithmonë të ndalohet një praktikë e tillë e jashtëligjshme, e ndalimit të pabazë të shtetasve kosovarë të cilët kalojnë transit në territorin e Serbisë”, thuhet në njoftimin për media të kësaj Ministrie.

Një sjellje e tillë e Serbisë, thotë MPJD, është në kundërshtim me të drejtat themelore të njeriut, marrëveshjen e lëvizjes së lirë të arritur në Bruksel në vitin 2011 dhe në kundërshtim të plotë me frymën e marrëveshjes së zotimeve të Washingtonit për Normalizim Ekonomik.

“Këto veprime janë në vazhdën e përpjekjeve të Serbisë për të sabotuar Republikën e Kosovës, duke lëshuar urdhra të rrejshme arrestimesh dhe duke manipuluar kanalet e tyre mediatike përmes propagandës së vazhdueshme raciste. Andaj, duke i pasur parasysh këto rrethana, MPJD i përsëritë thirrjet që shtetasit e Republikës së Kosovës dhe bashkëatdhetarët nga diaspora t’i shmangin udhëtimet në dhe nëpërmes Serbisë, për shkak të rrezikut të ndalimit të tyre, me akuza të motivuara politikisht”, ka përfunduar MPJD-ja.