BE-ja me deklaratë të qartë: Asociacioni s’do të jetë pushtet paralel dhe s’do të ketë kompetenca ekzekutive

BE-ja me deklaratë të qartë: Asociacioni s’do të jetë pushtet paralel dhe s’do të ketë kompetenca ekzekutive

Aktuale October 27, 2020 - 20:05

Qëndrimi i Bashkimit Evropian është që Asociacioni i komunave me shumicë serbe “nuk do të jetë pushtet paralel dhe nuk do të miratojë ligjet e veta”, dhe këtë “shumë qartë” e ka thënë në Kuvendin e Kosovës më 6 maj të vitit 2016 përfaqësuesja e lartë e atëhershme e BE-së, Federica Mogherini.

Këtë për agjencinë serbe të lajmeve “Beta” e ka thënë Peter Stano, zëdhënës i përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell, në kërkesën e agjencisë për të sqaruar nëse Borrelli dhe i dërguari special i BE-së, Misorlav Lajçak, edhe sot mbështesin porosinë e Mogherinit në letrën që ia kishte dhënë qeverisë në Kosovë, por jo edhe asaj në Beograd, letër kjo e gushtit të vitit 2015, ku thotë se AKS-ja “nuk do të ketë kompetenca ekzekutive”, transmeton Zeri.info.

Përmbajtjen e kësaj letre, kohë më parë e zbuloi ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ndërsa e njëjta mban datën e një dite para nënshkrimit të marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë për themelimin e AKS-së.

“Ne do të donim t’ju orientonim”, thuhet në përgjigjen e Stanos drejtuar “Beta”-s, “në deklaratën e ish-Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Mogherini, në Kuvendin e Kosovës më 6 maj 2016, ku ajo qartë e ka sqaruar qëndrimin e Bashkimit Evropian”.

Dhe, siç deklaroi më tej zëdhënësi i Borrellit, “kjo do të thotë se: Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe në Kosovë nuk do të jetë pushtet paralel brenda Kosovës dhe nuk do të miratojë ligjet e veta”.

Sipas Stanos, Mogherini po ashtu ka nënvizuar se, AKS-ja “do të krijohet brenda kornizës ekzistuese të ligjeve dhe autoriteteve të Kosovës... do t’i zbatojë konkluzat e fundit të Gjykatës Kushtetuese, të cilat ofrojnë udhëzime për të siguruar që, pasi të hartohet, Statuti i Asociacionit/Bashkësisë të jetë pasqyrim i ligjeve të Kosovës”.

Dhe, siç pati thënë Mogherini atëherë, AKS-ja “do t’ia mundësojë komunitetit serb në Kosovë që të integrohet plotësisht në shoqëri”.

“Beta” në kërkesën e saj drejtuar zyrtarëve të BE-së ka thënë se Lajçaku, pas publikimit të letrës nga Mustafa, nuk e ka komentuar, kundërshtuar apo konfirmuar përmbajtjen e saj.

Disa zyrtarë serbë këtë e kanë vlerësuar, siç shkruan “Beta”, si “goditje pas shpine për Beogradin”, ndërsa u ngrit çështja e depërtimit dhe besimit në BE si një ndërmjetës në dialogun Beograd-Prishtinë.