Infektuar: 34295
Shëruar: 21043
Vdekur: 914
Koci thotë se po humbet besimi ndaj Speciales, “qytetarët urgjentisht të informohen për presidentin e tyre”

Koci thotë se po humbet besimi ndaj Speciales, “qytetarët urgjentisht të informohen për presidentin e tyre”

Aktuale October 24, 2020 - 13:10

Sot janë bërë gjashtë muaj prej kur propozim-aktakuza ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli është dorëzuar në Dhomat e Specializuara dhe kjo ditë përbën afatin ligjor kur një propozim-aktakuzë duhet të konfirmohet ose të hidhet poshtë.

Ndërsa për këtë ka reaguar avokati Arianit Koci i cili tha se ky institucion nuk po tregon respekt minimal ndaj qytetarëve të Kosovës dhe as ndaj presidentit Thaçi si individ.

“Nuk po tregohet as respekti minimal ndaj qytetarëve të Kosovës, ndaj figurës së Presidentit të të Kosovës, e as ndaj z. Hashim Thaçi si individ, me faktin që Dhomat e Specializuara nuk japin informata se çka po ndodh me aktakuzën e deponuar me 24 prill 2020. Afati gjashtë mujor ka skaduar!”, ka shkruar ai në një postim në “Facebook”.

Koci thotë se një popull i tërë po mbahet peng teksa thotë se Thaçit po i shkelen të drejtat e njeriut në mënyrë brutale.

Sipas tij, qytetarët duhet të informohen se çfarë po ndodh me presidentin e tyre, përndryshe siç thotë ai do të humbet besimi ndaj Gjykatës Speciale.

“Një popull i tërë po mbahet peng! Në anën tjetër, z. Thaçi po i shkelen të drejtat e njeriut në mënyrë brutale. Po bëhen dhjetë vite që kur kanë filluar hetimet - njëherë nga senatori Dick Marty, e pastaj nga task forca e ambasadorit Clint Williamson. Qytetarët e Kosovës duhet të informohen urgjentisht se çka po ndodh me presidentin e tyre. Përndryshe, do të humbet besimi ndaj kësaj gjykate”, tha avokati Arianit Koci./Zëri