Gashi thotë se dy persona janë paraqitur në zyrën e tij me informata për rastin e Deharit

Gashi thotë se dy persona janë paraqitur në zyrën e tij me informata për rastin e Deharit

Aktuale October 21, 2020 - 14:05

Në një konferencë për media të mbajtur sot avokati Tomë Gashi dhe familja e Astrit Deharit, kanë bërë të ditur se në lidhje me rastin e vdekjes së Deharit janë paraqitur persona të cilët kanë dhënë dëshmi të reja.

Sipas avokatit Gashi së fundi është lajmëruar edhe një avokat i cili ditën kritike të vdekjes së Deharit kishte qenë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, e që ai ka deklaruar se atë ditë ka parë gjëra të pazakonshme.

“Persona të caktuar janë duke u lajmëruar në zyrën time për të dhënë informata shtesë që kanë të bëjnë më vrasjen e Astrit Deharit. Së fundi është lajmëruar edhe një avokat i cili në ditën kritike ka qenë në qendrën e paraburgimit në Prizren derisa ka deklaruar se ka qenë shumë i frikësuar pasi ka parë gjëra të pazakonshme. Pastaj kemi edhe një person tjetër i cili duket të ketë njohuri të jashtëzakonshme për vrasjen e Astritit, pastaj edhe familjarët e Makollit. Neve na mbetet të apelojmë te të gjithë ata që kanë njohuri për vrasjen e Astrit Deharit të lajmërohen”, ka thënë ai.

Më tej Gashi ka theksuar se para dy javëve është bërë një rikonstruktim i vendit të ngjarjes në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, e gjë për të cilën thotë se nuk kanë qenë të njoftuar.

“Para dy javëve është bërë një rikonstruim në vendin e ngjarjes në Qendrën e Paraburgimit në Prizren dhe për shkaqe të panjohura Prokuroria nuk na ka njoftuar, dhe rastin e kemi mësuar nga gazetarët. Ne i besojmë ekspertizës së ekspertëve të Zvicrës. Unë mendoj që ata në tërësi e kanë sqaruar se teoria e vetëvrasjes së Deharit është eliminuar. ka deklaruar ai.

Sipas tij Prokuroria Speciale është duke e zvarritur me qëllim këtë rast.

Në këtë konferencë kanë folur edhe nëna e babai i Astrit Deharit. Nëna e Astritit ka thënë se me rastin e djalit të tij nuk po merret as Prokuroria e as Policia, teksa theksoi se lajmet për këtë rast po i marrin prej mediave.

“Lajmet po i marrim vesh prej mediave, se përndryshe as prokuror, as polici nuk po merret me këtë rast ose me neve. Tash na lajmërove që kanë ardhur ekspertët zviceranë që t’i bëjmë disa sqarime dhe kemi pritur qe sa kohë dhe janë bërë 4 vjet gati dhe vitin e kaluar në të njëjtën kohë na enden e sjellën gjithkund, derisa e morëm raportin, mirëpo prapë në të njëjtën kohë prapë na sollën para përvjetorit të Astritit dhe doli i njëjti muhabet. Për këta ekspertë zviceran që kanë ardh e dimë se në atë kohë Sylë Hoxha ka deshtë ta përmbyll rastin si vetëvrasje, por me kërkesën tonë si prindër që jemi munduar, për fat të mirë na kanë pranuar sa me na leju me marrë lëndën dhe vitin e kaluar raportin që e dërguam na lajmëruan që Astriti nuk ka bërë vetëvrasje dhe kjo doli edhe tash”, tha ajo.

Ndërsa edhe babai i Astritit ka thënë se me rastin e vdekjes së tij janë bërë shumë manipulime dhe prapaskena, teksa akuzon prokurorin e asaj kohe Sylë Hoxhën, për të cilin thotë se është kryesori që ka zvarritur këtë punë.

“Më vjen mirë që të vijnë ekspertët zviceranë që të japin sqarime rreth vrasjes së Astritit dhe ky rast është pështjellur qe sa kohë, janë bërë shumë manipulime dhe prapaskena. Sylë Hoxha, i cili ka qenë prokuror atë kohë, është kryesori që e ka zvarrit punën deri në këtë rast. Është fajtori kryesor me bashkëpunëtorët e vet. Këtu e kemi humbur besimin fund e krye për atë arsye jemi detyruar që të dalim jashtë Kosovës me ekspertë dhe kemi besim të plotë tek ekspertët zviceran”, është shprehur ai. /Zëri