Reçica: Më pak viktima në vendin e punës se në të kaluarën

Reçica: Më pak viktima në vendin e punës se në të kaluarën

Aktuale October 21, 2020 - 13:54

Në kuadër të Javës Evropiane për Siguri dhe Shëndet në Punë, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, bashkë me kryeinspektorin e Inspektoratit të Punës, Ekrem Kastrati, kanë vizituar sot një nga kantieret e ndërtimit të lartë në kryeqytet.

Në një komunikatë të dërguar për media nga kjo ministri theksohet se në këtë vizitë u bisedua për nga afër me punëdhënës dhe punëmarrës, për të parë nivelin e respektimit të masave të sigurisë dhe shëndetit në vendin e punës.

Reçica me këtë rast ka thënë se do të vazhdojnë të jenë çdo ditë pranë secilit punëtor në vendin tonë për të parë se sa po respektohen të drejtat e tyre dhe sa po punohet në zbatimin e masave për të mbrojtur jetën e tyre.

“Ne do të vazhdojmë të jemi të pakompromis ndaj gjithë atyre që nuk respektojnë këto masa”, citohet të ketë thënë ai.

Reçica ka thënë po ashtu se duhet vlerësuar progresin e arritur deri më tani lidhur me sigurinë dhe shëndetin në punë, “pavarësisht që nuk kemi arritur aty ku ne dëshirojmë”.

Gjithashtu, ai theksoi se “në krahasim me të kaluarën, ne tashmë kemi më pak raste me lëndime të rënda dhe të lehta, si dhe më e rëndësishmja është që numri i atyre që kanë humbur jetën këtë vit gjatë aktivitetit në vendin e punës është më i vogël, me ç’rast edhe ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta gjithë atyre që kanë humbur më të dashurit e tyre”.

Reçica po ashtu deklaroi se me një përkushtim dhe angazhim të përbashkët do të arrihet progres, në mënyrë që punëtori të ndihet më i sigurt në vendin e punës dhe punëdhënësi gjithashtu në kryerjen e veprimtarisë së vet si biznes. /Zëri