Hoti e sqaron pezullimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare

Hoti e sqaron pezullimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare

Aktuale October 21, 2020 - 13:34

Kryeministri i vendit ka filluar raportimin në interpelancën e parë para deputetëve të Kuvendit, e cila ka të bëjë me një nga zotimet e dhëna në marrëveshjen e nënshkruar me Serbinë në Washington më 4 shtator, që përfshin zotimin që Kosova të mos tentojë të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare për një vit, raporton “Zëri”.

Sipas kryeministrit, mosaplikimi i Kosovës në organizata për një vit nuk do të thotë pauzim i punës.

“Pavarësisht pauzimit për një vit për aplikim në organizata ndërkombëtare, ne s’po e pauzojmë punën tonë, por po përgatitemi për anëtarësim në organizata, pra në koordinim të plotë me të gjithë partnerët dhe SHBA-në. Që të sigurohemi se aplikimet tona s’do të dështojnë si në të kaluarën, por do të pranohen”, tha Hoti.

Ai thekson se Kosova ka nevojë për përkrahje nga SHBA-ja dhe shtetet e tjera, si dhe për njohjen reciproke nga Serbia.

“Duhet kuptuar në këtë frymë, që na nevojitet përkrahje e SHBA-së dhe shteteve tjera. Edhe duhet parë nga këndvështrimi në afatizimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi, e cila duhet të ndodhë me një njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve në çdo aspekt”, theksoi ai.

Nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci, ka dalë kundër pauzimit për aplikim në organizata ndërkombëtare, duke cilësuar atë si të dëmshme dhe fitimprurëse për Serbinë por jo edhe për Kosovën, raporton “Zeri.info”.

“Kosova ishte palë e gatshme pa asnjë kusht, pa kërkesa dhe atë vetëm për të marrë pjesë në dialog me Serbinë. Në fillim ishte kushti i tyre që të hiqej reciprociteti dhe ju kryeministër e bëtë atë që në ditët tuaja të para, më pas ishte kusht kërkimi i njohjes dhe ju e pezulluat atë. Pesha dhe dëmi i këtyre kushteve shkon përtej tyre, mosaplikimi për organizata ndërkombëtare ka një emërues të përbashkët dhe ai është heqja dorë nga subjektiviteti, në të dyja këto raste Serbia fiton shumëfish, ndërsa Kosova humb shumëfish”, tha Nagavci në fjalën e saj në Kuvend.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Enver Hoxhaj, thotë se njohja e Kosovës nga Serbia është vetëm një iluzion që do ta godasë vendin.

“E dëgjova me vëmendje që njohja e Kosovës do të ndodhë, se është një çështje e kryer, se edhe unë që jam gjatë në qeveri shpeshherë e kemi kultivuar, por kjo çështje është ma serioze, sepse kemi pas pritje që vera dhe vjeshta mund të jetë të jenë faza e fundit me dialogun, me Samitin e Parisit dhe Samitin e Berlinit dhe të Washingtonit, por gjërat nuk po shkojnë kështu. Ju kisha lut si deputetë që të mos i besojmë këtij iluzioni, s’ka të bëjë me atë se kush është në pozitë e kush në opozitë, por ky iluzion mund ta godasë vendin”, tha Hoxhaj, raporton “Zëri”.

Ai këtë interpelancë të thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje e quajti si një emërues të përbashkët ‘hegjemonie të re serbe’.

“Është në rregull që janë thirrur tri interpelanca nga LVV-ja, por këto tria kanë një emërues të përbashkët, dhe ajo është një lloj hegjemonie e re serbe në raport me Kosovën e rajonin. Nuk mendoj që duhet të flasim për dialogun siç kemi folur para 3 vitesh a 2 vitesh, sepse kjo është krejt tjetër fazë”, tha Hoxhaj.

Ai ka akuzuar koalicionin LDK-LVV, për situatën e tanishme.

“Nuk është kjo një temë ku ne veç duhet të fshihemi prapa partnerëve amerikanë dhe marrëveshjes së Washingtonit, është një zinxhir i ngjarjeve dhe vendimeve të koalicionit të LVV-së dhe LDK-së, që e ka sjellë vendin këtë situatë. Në këto muajt e fundit nuk kemi pa as vendim as veprim politik se si të sillemi në një proces të tillë”, tha ai.

Kryeministri Avdullah Hoti, deklaroi se në ish-qeverinë “Kurti”, ishte bërë një kërkesë për heqjen e aplikimit në Interpol e kjo nxiti reagime të ashpra nga Lëvizja Vetëvendosje.

Deputetja e kësaj partie, Fitore Pacolli i’u kundërpërgjigj Hotit duke e quajtur këtë të fundit naiv.

“Z.Hoti ose je naiv e nuk e kuptoni se nuk janë çka janë interesat kombëtare dhe interesat strategjike të një shteti, ne kur vendosim të aplikojmë e llogarisim mirë të aplikojmë apo të mos aplikojmë, kur ne dalim ndërkombtarisht e zotohemi ndërkombëtarisht dallim shumë të madh, është shkelje e Kushtetutës, ndërsa, kërkesa jonë ka qenë kërkesë për një vendim strategjik si shtet, ka qenë vendim strategjik, kërkesë”, ka thënë ajo, raporton Zëri.