Pacolli rikthen idenë e tij për bartjen e administratës në Hajvali për të shmangur tollovinë në kryeqytet

Pacolli rikthen idenë e tij për bartjen e administratës në Hajvali për të shmangur tollovinë në kryeqytet

Aktuale October 21, 2020 - 12:19

Propozimi i kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, për taksë prej minimumi 10 eurove për hyrje në qendër të Prishtinës ngjalli reagime të shumta nga qytetarët e vendit e edhe nga homologët e tij vendorë.

Në këtë varg hyri edhe kreu i AKR-së, Behxhet Pacolli, i cili tha se si fillim e kishte parë këtë si shaka të sezonit.

Ai theksoi se komunat nuk mund të marrin para nga qytetarët për të justifikuar “punën” e tyre, transmeton “Zeri.info”.

“Në propozimin e Komunës së Prishtinës për hyrjen me pagesë deri më tani kam heshtur, duke menduar se është një shaka e sezonit. Është e padrejtë ndaj qytetarëve vetëm të mendojnë për një gjë të tillë. Komunat nuk mund të prekin gjithmonë xhepat e qytetarëve për të justifikuar ‘punën’ e tyre ose më saktë ‘përshtatshmërinë e tyre të modus operandit’. Ju komunarët nuk guxoni ta bëni atë”, deklaron Pacolli përmes një postimi në “Facebook”.

Ai thotë se zgjidhjen e problemit të trafikut në kryeqytete e ka që në vitin 2006, me një propozim që administrata dhe zyrat tjera civile e të biznesit të barten nga qendra e qytetit në periferi të tij, transmeton “Zeri.info”.

“Zgjidhja e problemit të trafikut në qytet ishte propozimi im i hershëm....bartjen e administratës dhe zyrave të tjera civile dhe të biznesit nga qyteti në periferi, së bashku me kampuset universitare, në mënyrë që qyteti aktual t’u lihet banorëve. Kjo ka qenë, mbetet dhe do të jetë zgjidhja e vetme. E them nga viti 2006. Kur isha në qeveri u përpoqa më gjithë qenien për ta bërë të mundur këtë (edhe duke financuar një pjesë të madhe nga logjistika ime), por isha i vetmuar në këtë ide dhe kjo u banalizua nga kolegët e mi në qeveri. Për këtë unë kisha prezantuar një projekt, i cili madje ishte ‘humbur’ në mjediset e Kryeministrisë”, thekson Pacolli.

Ai thotë se nëse vite më parë do të bartej pjesa më e madhe e zyrave administrative në Hajvali, ajo hapësirë, sipas tij, “nuk do të ishte shkatërruar siç po ndodh tani”.

“Nëse ata do të më kishin dëgjuar mua, sot do të kishim pjesën më të madhe të ‘Qytetit Administrativ’ në Hajvali dhe ajo hapësirë nuk do të ishte shkatërruar siç po ndodh tani”, tha kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, duke shpërndarë edhe foto nga projekti i propozuar nga ai i “Prishtinës së Re”. /Zëri