Haxhiu kërkon tërheqjen e aktakuzës ndaj gjashtë aktivistëve të LVV-së për “Sulm terrorist”

Haxhiu kërkon tërheqjen e aktakuzës ndaj gjashtë aktivistëve të LVV-së për “Sulm terrorist”

Aktuale October 21, 2020 - 09:40

Në një konferencë të mbajtur për media, ish-ministrja e Drejtësisë nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka kërkuar drejtësi për aktivistët e akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Terrorizmit” ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës gushtin e vitit 2016 e të cilët sot pritet të dalin para gjykatës.

Sipas Haxhiut, gjashtë aktivistët e LVV-së, duke përfshirë këtu edhe të ndjerin Astrit Dehari, ishin arrestuar pa asnjë fakt.

“Gjashtë aktivistë të LVV-së, duke përfshirë edhe aktivistin Astrit Dehari, ishin arrestuar pa asnjë fakt, kinse për sulmin ndaj Kuvendit. Në atë kohë ka pasur tendenca që LVV-ja të shpallet organizatë ilegale e që LVV-ja të lidhet me veprime që i ka bërë dikush tjetër”, ka thënë ajo.

Sipas Haxhiut, edhe sot pas katër vjetësh janë duke u përballur me një sistem të padrejtë.

“Sot pas katër vjetëve sërish është një seancë gjyqësore, që pas katër vjetëve po përballen me një sistem të padrejtë, që iu mvishen veprime që nuk ishin bërë nga LVV-ja”. “Në vend që drejtësia të shkojë në vend, sot ende aktivistë të LVV-së përballen me gjykime politike. Prokuroria duhet të heqë dorë nga ajo aktakuzë. Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim këtë lëndë që vërteton se aktivistët e LVV-së nuk kanë fare të bëjnë me sulmin ndaj Kuvendit”, ka thënë ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. /Zëri