Shpërndahen pajisje bujqësore për fermerët llapjanë

Shpërndahen pajisje bujqësore për fermerët llapjanë

Aktuale October 21, 2020 - 09:22

Në kuadër të projektit “Mbështetje stabilitetit socio-ekonomik në Kosovë”, i financuar nga organizata gjermane “Help” dhe Komuna e Podujevës, fermerët e Podujevës janë përkrahur me pajisje pune në veprimtari të ndryshme, ku përfitues ishin 75 persona.

Në një njoftim nga Komuna e Podujevës u bë e ditur se nënkryetari i kësaj komune, Nexhmi Rudari, bashkë me drejtorin e Planifikimit dhe Zhvillimit Ekonomik Bunjamin Hotin dhe drejtorin e Bujqësisë Vezir Januzin morën pjesë në shpërndarjen e pajisjeve bujqësore te disa fermerë, përfitues të këtij projekti.

“Nënkryetari Rudari me këtë rast tha që do të vazhdojë mbështetja për fermerët llapjanë përmes granteve të ndryshme dhe subvencioneve, duke ndikuar kështu në lehtësimin në punën e tyre, rritjen e sasisë dhe cilësisë së produkteve bujqësore”, thuhet në njoftim.

Po ashtu bëhet e ditur se të gjithë përfituesve nga sektori i bujqësisë nga organizata “Help” u është dhuruar nga një ditar pune. /Zëri