Osmani mbështet grupin punues për hartimin e Rregullores së re të Kuvendit

Osmani mbështet grupin punues për hartimin e Rregullores së re të Kuvendit

Aktuale October 19, 2020 - 16:21

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim me anëtarët e Grupit Punues për Hartimin e Rregullores së re të Kuvendit, ku ajo ka shfaqur besimin e saj se duke u bazuar edhe në draft- rregulloren e hartuar në legjislaturën e kaluar, do të hartohet një dokument funksional, profesional, si dhe do të arrihet unitet politik, transmeton Zëri.

“Shpresoj se draft-rregulloren e hartuar në legjislaturën e kaluar do ta analizoni në detaje. Ku është në rregull, të mbetet ashtu siç është, kurse ku ka nevojë, të bëhen ndryshime profesionale, duke u bazuar edhe në praktikat e mira parlamentare. Uroj që puna e juaj të kulmojë me miratimin e Rregullores së re të Kuvendit brenda kësaj legjislature”, ka thënë Osmani, duke shtuar se disa mangësi në rregulloren aktuale kanë ndikuar në punën dhe uljen e besimit të Kuvendit te qytetarët.

Ndërkaq, kryetari i këtij Grupi, Shkëmb Manaj, ka thënë se në hartimin e Rregullores së re të Kuvendit, përveç çështjeve të tjera, do të merren parasysh edhe aktvendimet e Gjykatës Kushtetuese, por edhe rrethanat e reja të krijuara si pasojë e pandemisë COVID-19.

Po ashtu, Manaj, ka theksuar se do të jenë të kujdesshëm që kjo rregullore në jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës.

Pasi që ka vullnet politik, Manaj ka thënë se shpreson që Rregullorja e re e Kuvendit të votohet në lexim të dytë rreth mesit të dhjetorit të këtij viti.

Edhe anëtaret e këtij grupi, Donika Kadaj- Bujupi dhe Evgjeni Thaçi- Dragusha, kanë vlerësuar se është shumë e rëndësishme që Kuvendi sa më shpejt ta ketë rregulloren e re, duke marrë parasysh edhe draft-rregulloren e hartuar në legjislaturën e kaluar.

Mbështetje Grupit Punues për Hartimin e Rregullores së re, i ka dhënë edhe sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi.

“Rregullorja e re po i mungon Kuvendit, marrë parasysh edhe rrethanat e reja”, ka vlerësuar Krasniqi.

Në këtë takim është diskutuar edhe për detaje të tjera të rëndësishme që duhet t’i përmbajë Rregullorja e re e Kuvendit. /Zeri.info//