MSH-ja reagon pasi dy inspektorë i hynë në zyrë pa paralajmërim ministrit dhe i kërkuan shtesat

MSH-ja reagon pasi dy inspektorë i hynë në zyrë pa paralajmërim ministrit dhe i kërkuan shtesat

Aktuale October 19, 2020 - 16:16

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se sot, dy inspektorë shëndetësorë kanë penguar në punë ministrin Armend Zemaj, të cilët kanë hyrë pa paralajmërim në zyrën e tij.

MSH-ja tha se në orët e mëngjesit të ditës së sotme, derisa Zemaj po kryente punët e tij të rregullta dhe kishte palë të tjera të caktuara për takime, dy inspektorë shëndetësorë (N.K. dhe B.V), “duke keqpërdorur kartën e identifikimit të Inspektoratit Shëndetësor, pa paralajmërim të Kabinetit nga Kryeinspektorja të cilës i përgjigjen, kanë ardhur te Kabineti i Ministrit duke e penguar në punë drejtpërdrejt Ministrin, me kërkesa për pagesë të 300 eurove, të cilat ata i kanë kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë”.

“Duke qenë që të njëjtit nuk kanë pasur as takim të caktuar e as autorizim nga Kryeinspektorja për ta trajtuar këtë temë, Ministri nuk ka mundur t’i presë në takim për shkak se ka pasur të paracaktuara takime dhe agjendë tjetër. Këtë shkelje të hierarkisë dhe përgjegjësive në punë dhe ndërhyrjen e tyre në punën e Ministrit, Ministri Zemaj e ka denoncuar tek Kryeinspektorja me qëllim të marrjes së masave disiplinore sipas Ligjit për Inspektoratin Shëndetësor”, thuhet në një komunikatë nga MSH-ja.

Po ashtu MSH-ja ka hedhur poshtë pretendimet e inspektorëve të raportuar në disa media se janë kërcënuar dhe fyer nga Zemaj.

“Ndërlidhur me pretendimet e dy inspektorëve shëndetësore për gjoja kërcënimin dhe fyerjen e tyre nga ana e Ministrit të Shëndetësisë, Ministria e Shëndetësisë shpjegon se Ministri Armend Zemaj as nuk ka pasur në agjendën e tij të punës sot takim me inspektorë shëndetësorë dhe as nuk ka kërcënuar e fyer ndonjë inspektor shëndetësor” , thuhet në komunikatë.

MSH-ja më tej ka informuar se njëri prej këtyre dy inspektorëve gjatë kohës së pandemisë ka qenë i liruar nga puna për arsye shëndetësore dhe nuk ka kryer asnjë inspektim lidhur me Covid-19.

Ndërsa, sa i përket mospërfshirjes së inspektorëve shëndetësorë në shtesën prej 300 eurove, MSH-ja ka sqaruar se sipas Ligjit, Inspektorati Shëndetësor është organ administrativ i MSH-së, ndërsa inspektorët nuk janë të klasifikuar në mesin e profesionistëve shëndetësorë. /Zëri