BIK-u reagon ndaj ambasadorit të Kosovës në Francë, që shpërndau karikaturat e profetit Muhamed

BIK-u reagon ndaj ambasadorit të Kosovës në Francë, që shpërndau karikaturat e profetit Muhamed

Aktuale October 19, 2020 - 15:14

Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ka reaguar ndaj ambasadorit të Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi, i cili përmes platformës “Twitter” pak orë më parë shpërndau karikaturat e profetit Muhamed, si pasojë e të cilave më 2015-n u vranë 12 persona.

Po ashtu edhe pak ditë më parë një mësues francez u vra për shfaqjen e karikaturave të profetit mysliman para nxënësve të tij.

BIK-u këtë veprim të ambasadorit e ka cilësuar si të papranueshëm dhe të dënueshëm.

“Në fillimin e muajit të datëlindjes së Pejgamberit tonë të dashur Muhamed, kur ne dhe mbarë bota islame ka filluar manifestimet për të përkujtuar, lexuar e studiuar biografinë e tij të ndritshme dhe mësimet e tij të shenjta, na vjen publikimi i karikaturave që ofendojnë pejgamberin Muhamed a.s., nga ambasadori ynë në Francë, z. Qëndrim Gashi. Për ne si Bashkësi Islame ky akt është i papranueshëm i dënueshëm dhe një veprim i tillë vetëm sa rrit mosdurimin, urrejtjen e mosbesimin ndërnjerëzor, ngase cenimi, ofendimi dhe atakimi i tjetrit e sidomos kur kjo ka të bëjë me çështjen e besimit, nuk paraqet asnjë vlerë”, thuhet në reagimin e BIK-ut.

Më tej BIK-u ka kërkuar që MPJ-ja të distancohet nga veprimet e ambasadorit Gashi, ngase konsiderojnë që me veprimin e tij ka atakuar vlerat dhe parimet mbi të cilat Kosova me shekuj ka ngritur e kultivuar harmoninë e bashkëjetesën ndërfetare, ndërsa kanë dënuar edhe aktin kriminal ndaj mësuesit francez.

“Po ashtu dënojmë aktin kriminal ndaj mësuesit francez dhe në të njëjtën kohë angazhohemi që besimet tona të mos përdorën për urrejtje e mosdurim, por për bashkëjetesë, njohje, respekt e dashuri”, thuhet në reagim.

Ambasadori Qëndrim Gashi, në llogarinë e tij në “Twitter”, ka bërë “retweet” një postim të karikaturave të profetit Muhamed. /Zëri