Selimi: Kosova në fushën e sundimit të ligjit, nga reflektimi po kalon në etapën e implementimit
Foto:Laura Hasani

Selimi: Kosova në fushën e sundimit të ligjit, nga reflektimi po kalon në etapën e implementimit

Aktuale October 19, 2020 - 14:34

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka marrë pjesë sot në lansimin e raportit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit “Monitorimi sistemik dhe tematik në drejtësi” për periudhën shtator 2019 deri në mesin e marsit 2020.

Ky raport u bë publik sot për herë të parë.

Selimi theksoi se rishikimi funksional i sundimit të ligjit dhe procesi i llogaridhënies duke përfshirë vetingun “janë tregues se Kosova nga reflektimi po kalon në etapën e implementimit dhe se nuk do të rri duarkryq përballë segmenteve që cenojnë sistemin e drejtësisë”.

“Të dyja këto procese janë pjesë e reformës, përmes së cilave synohet ngritja e llogaridhënies, efikasitetit dhe profesionalizmit në sistemin gjyqësor e prokurorial, për t’ua rikthyer besimin qytetarëve në drejtësi. Pra, garantimi i pavarësisë dhe fuqizimi i sistemit gjyqësor e prokurorial është lufta jonë që do ta fitojmë”, ka thënë ministri Selimi me rastin e lansimit të raportit publik të “Monitorimit sistematik dhe tematik të drejtësisë”, i prezantuar nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë.

Sipas Selimit, Kosova po ec drejt një të ardhmeje të sigurt të drejtësisë.

“Pas leximit të këtij raporti mund të vlerësojmë se Kosova, edhe përkundër sfidave të shumta të cilat vazhdojnë të mbesin, ka bërë progres substancial në një numër të konsiderueshëm të të arriturave dhe standardeve në gjyqësor dhe po ec me hapa të sigurt drejt konsolidimit të sistemit më kompleks të saj, atij të drejtësisë. Gjetjet objektive dhe rekomandimet specifike të dala nga ky raport duhet të jenë udhërrëfyes dhe nxitje për të rritur efikasitetin në sistemin gjyqësor dhe përpjekjet tona për fuqizimin e sundimit të ligjit”, theksoi ministri.

Selimi vlerësoi se suksesi i implementimt të strategjisë së sundimit të ligjit është thelbësor për të ardhmen e Kosovës dhe sistemin e saj të drejtësisë.

“Kjo është lufta jonë, që do ta fitojmë së bashku. Strategjia për sektorin e sundimit të ligjit, i cili të finalizohet së shpejti, do të jetë dokumenti kryesor reformues me rezultate konkrete në praktikë. Rekomandimet kryesore që dalin nga ky proces, duke përfshirë masat e propozuara për të rritur llogaridhënien, efikasitetin dhe transparencën e sistemit, janë një përpjekje jashtëzakonisht e rëndësishme që do të rregullojë mangësitë që kemi identifikuar në sistem përgjatë këtyre viteve, që nga shpallja e pavarësisë”, deklaroi Selimi në fjalën e tij. /Zëri