Bordit të AKP-së një mbledhje i kushtoi mbi 3000 euro

Bordit të AKP-së një mbledhje i kushtoi mbi 3000 euro

Aktuale October 19, 2020 - 14:32

Ish-kryesuesi i Bordit të AKP-së, Petrit Gashi, gjatë raportimit në Komisionin Hetimor Parlamentar për privatizimin ka thënë se ka pasur raste kur kanë qenë kundër shitjes së ndonjë objekti.

Gashi ka treguar se për një mbledhje të Bordit ata kanë marrë mbi 3000 euro si kompensim.

I pyetur nga anëtari i këtij Komisioni Hekuran Murati se si përcaktohej depozita e sigurisë, ai ka thënë se ato janë vendosur nga viti 2017, duke theksuar se gjatë kohës së tij nuk ka pasur shitje me procedurë të negociuar.

“Shitje me procedurë të negociuar s’ka pasur gjatë punës sime. Shitjet kanë ndodhur pas periudhës sime. Bizneset kanë bërë kërkesë që t’u ofrojmë tokë - pronë. Kur nuk u kemi dhënë ndihmë, ata kanë blerë tokë private”, ka thënë Gashi.

Murati e ka pyetur edhe për kompensimet shtesë.

“Ne jemi paguar për një gjashtëditësh të punës sonë, 400 euro në ditë. Për një mbledhje Bordi i ka marrë mbi 3000 euro”, ka thënë Gashi.

Deputeti Sejdi Hoxha nga PDK-ja ka pyetur Gashin se pse ka dhënë dorëheqje nga AKP-ja

Petrit Gashi ka thënë se arsyeja ka qenë shkarkimi i drejtorit në atë kohë.

Ndërsa i pyetur nga Bekë Berisha i AAK-së për deklaratën e ish-ministrit Ali Sadiru se ka pasur dokumente që janë djegur, Gashi ka thënë se ka dëgjuar diçka të tillë.

“Me thënë të drejtën, si nëpër mjegull diçka e tillë e di që ka ndodhur, por s’ka ndonjë rast që e di për ndonjë vendim që kemi marrë e që ka munguar dokumentacion. Në kohën tonë për hir të transparencës i kemi publiku të gjitha shitjet që kanë ndodhë atëherë me leje të autoritetit përkatës”, tha ai. /EO