Infektuar: 38431
Shëruar: 23754
Vdekur: 989
Diplomati që u kujton shqiptarëve se janë popull me vlerë, por duhet të votojnë udhëheqës të vërtetë

Diplomati që u kujton shqiptarëve se janë popull me vlerë, por duhet të votojnë udhëheqës të vërtetë

Aktuale October 17, 2020 - 18:40

Më në fund dikush u kujtua që t’iu tregojë shqiptarëve se janë popull me vlerë të madhe, por kanë udhëheqës të dobët. Politikani dhe diplomati shqiptar, Arian Starova ka bërë thirrje në adresë të të gjithë shqiptarëve që të tregojnë se nuk e pranojnë të keqen duke aluduar në zgjedhjen e përfaqësuesve meritor në krye të pozitave shtetërore.

Starova ka thënë se një popull që nuk përpiqet për të nxjerrë në krye të tij ata që e përfaqësojnë më të vërtetë, për fat të keq sipas tij do të vazhdoi të vuaj. “Natyrisht jo pa fund, se brezat e rinj me gjithë pengesat që kanë tani për tani nga vetja dhe të tjerët, do të na e gjejnë rrugën e duhur që ne nuk po e gjejmë dot", ka thënë Starova në një postim në rrjetin e tij social “Facebook”, raporton Zeri.info.

Ai ka apeluar që të gjithë shqiptarët të vetëdijesohen se kujt do t’i japin votën. “Ne të gjithë, të paktën, të tregojmë se nuk e pranojmë të keqen që na ka përmbytur dhe për këtë ka shumë rrugë, mënyra të pafundme...Boll kohë kemi humbur në histori”.

Ish ministër i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Starova ka theksuar se një popull kaq i mirë siç janë shqiptarët nuk meritojnë udhëheqës të dobët.

“E kam menduar dhe rimenduar pa fund se si është e mundur që një popull me virtyte të mrekullueshme si ne shqiptaret, me një harmoni fetare që u ka mbijetuar dhe po u mbijeton shumë strategjive të fshehta armiqësore, me një shpirtmirësi që kristalizohet shumë bukur në shprehjen e papërsëritshme të veriorëve të Shqipërisë që thotë se ‘Shtëpia është e mikut dhe e Zotit’, me një bujari që është tej e përtej e mirënjohur, me një zgjuarsi që në rrethana të mira bën gjithnjë krye duke u shquar, si është e mundur pra, që ky popull ka (të paktën) tridhjetë vjet që po e copëtojmë njëri-tjetrin, sidomos në elitën politike të vendit, atje ku normalisht mendohet se duhet të jenë përfaqësuesit më të mirë të popullit !!??”, ka thënë ai. /Zëri

Postimi i plotë i Starovës:

Të nderuar miq dhe lexues !

E kam menduar dhe rimenduar pa fund se si është e mundur që një popull me virtyte të mrekullueshme si ne shqiptarët, me një harmoni fetare që u ka mbijetuar dhe po u mbijeton shumë strategjive të fshehta armiqësore, me një shpirtmirësi që kristalizohet shumë bukur në shprehjen e papërsëritshme të veriorëve të Shqipërisë që thotë se "Shtëpia është e mikut dhe e Zotit", me një bujari që është tej e përtej e mirënjohur, me një zgjuarsi që në rrethana të mira bën gjithnjë krye duke u shquar, si është e mundur pra, që ky popull ka (të paktën) tridhjetë vjet që po e copëtojmë njëri-tjetrin, sidomos në elitën politike të vendit, atje ku normalisht mendohet se duhet të jenë përfaqësuesit më të mirë të popullit !!??

Ndjehem i paaftë për ta kuptuar, por diçka më duhet ta ndaj me ju të nderuar miq e lexues:

"Një popull që nuk përpiqet për të nxjerrë në krye të tij ata që e përfaqësojnë më të vërtetë, për fat të keq do të vazhdojë të vuaj, natyrisht jo pa fund, se brezat e rinj me gjithë pengesat që kanë tani për tani nga vetja dhe të tjerët, do të na e gjejnë rrugën e duhur që ne nuk po e gjejmë dot".

Ne të gjithë, të paktën, të tregojmë se nuk e pranojmë të keqen që na ka përmbytur dhe për këtë ka shumë rrugë, mënyra të pafundme...

Boll kohe kemi humbur në histori ...

Le te merremi me interesat tona të përditshme, por le te mendojmë pak edhe me përtej, apo "le të mbjellim një ulli" pa na e kërkuar askush përveç shqetësimit për të ardhmen e sigurt të vendit dhe të shqiptarëve që do të jetojnë pas nesh ...

Kombet dhe shtetet forcohen dhe lulëzojnë vetëm kur përkushtohen edhe për idetë ...