Infektuar: 17139
Shëruar: 14787
Vdekur: 657
Thaçi: Kurti ka refuzuar të jetë pjesë e UÇK-së, u është dorëzuar autoriteteve të Serbisë

Thaçi: Kurti ka refuzuar të jetë pjesë e UÇK-së, u është dorëzuar autoriteteve të Serbisë

Aktuale October 15, 2020 - 21:01

I plotësuar 21:34

Presidenti i Kosovës ka thënë se kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, dhe ish-kryeministri Albin Kurti u ishte dorëzuar autoriteteve të Serbisë dhe kishte refuzuar që të jetë pjesë e UÇK-së.

Thaçi tha se Kurti nuk ka as shokë të luftës as të burgut sepse sipas tij nuk ka qenë kurrë pjesë e një rezistence as për liri as pavarësi.

“Nuk merrem me këto lajthitje të zotrit Kurti që më vjen keq që nuk ka as shokë të burgut as të luftës. Nuk ka qenë kurrë pjesë e një rezistence as për liri as pavarësi me përjashtim që i është dorëzu autoriteteve të Serbisë dhe ka refuzu që të jetë pjesë e UÇK-së. Është i njëjti në shërbim të keqes. Nuk ka ndonjë opinon që ja vlen për ta marrë seriozisht.”, ka thënë Thaçi.

“Janë lajthitje të kota dhe janë frustruese. E di se mund të jetë i shqetësuar se e vërteta del në shesh por do të ndihet i turpëruar dhe para fëmijëve të vetë. Ai e di”, ka thënë Thaçi.


Thaçi akuzon LVV-në, thotë se ka qenë në anën e gabuar të historisë që nga Rambujeja

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka bërë akuza në drejtim të zyrtarëve të Vetëvendosjes për procese të ndryshme historike.

Thaçi ka folur për vizitën e fundit në Uashington dhe Bruksel.

“Qëllimi i vizitës ka qenë për të parë se si po shkojnë zhvillimet aktuale dhe ku është e pozicionuar Kosova karshi perspektivës Euro-Atlantike. Vizita në Bruksel pikë së pari ka qenë për liberalizimin e vizave e më pas edhe për mundësinë e vazhdimit të dialogut dhe marrëveshjen e mundshme finale mes Kosovës dhe Serbisë dhe punët që ne duhet t’i kryejmë”, tha ai në Debat Plus

Presidenti ka vlerësuar si të arritur historike marrëveshjen ekonomike në SHBA mes Kosovës dhe Serbisë.

Thaçi thotë se tashmë është e qartë se ka ardhur momenti që në tavolinë të hidhet tema e njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

“Pika e parë duhet të jetë njohja, pastaj pikat tjera janë shumë lehtë të kalueshme. Por nuk mendoj se duhet të diskutojmë për çështje që kemi diskutuar tash e dhjetë vite”.

I pari i vendit ka ripërsëritur se nuk do të ketë “thika” mbi Kosovën.

“Ata që kanë përmendur këto teza le të kërkojnë falje para popullit të Kosovës”.

Thaçi ka akuzuar Vetëvendosjen se ka qenë në anën e gabuar të historisë.

“Unë kam qenë në anën e drejtë të historisë edhe kur është nënshkruar marrëveshje e Rambujesë, ndërsa zotërinjtë kanë qenë kundër bombardimeve të NATO-s dhe e kanë quajtur okupatorë NATO-n në Kosovë. Gjithashtu edhe procesin e themelimit të Trupave të Mbrojtjes së Kosovës e kanë parë si kapitullim të Kosovës ndërsa këto trupa rezultuan me formimin e ushtrisë së Kosovës. Edhe Pavarësinë  e Kosovës e kanë quajtur diçka të pa mjaftueshme dhe nuk kanë besuar se do të ndodhë. Kosova u dëmtua edhe nga mollotovët e tyre, gazin lotsjellës që e kanë gjuajtur, madje edhe kanë dëmtuar procesin e liberalizimit të vizave”, tha ndër të tjera Presidenti Thaçi.