Osmani kërkoi nga Lajçaku që BE-ja t`i ketë parasysh deklarimet me gjuhën e urrejtjes të zyrtarëve serbë
Foto: Laura Hasani

Osmani kërkoi nga Lajçaku që BE-ja t`i ketë parasysh deklarimet me gjuhën e urrejtjes të zyrtarëve serbë

Aktuale October 13, 2020 - 19:47

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar sot me të ngarkuarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, përcjell Zeri.info.

Përmes një komunikate për media u bë e ditur se në këtë takim, Osmani ka thënë se çfarëdo marrëveshje e cila nuk është e pranueshme për Kuvendin, do të mbetet e paratifikuar dhe rrjedhimisht e pazbatueshme. Ajo po ashtu theksoi nevojën për konsensus të brendshëm të Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë.

Sipas Osmanit sistemi kushtetues i Kosovës dhe unitariteti i vendit janë të pacenueshëm dhe nuk duhet të jenë pjesë e negociatave.

Po ashtu bëhet e ditur se Osmani i ka theksuar të ngarkuarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, se për Asociacionin duhet të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe se nuk duhet lejuar bosnjizimi i Kosovës.

"Kryetarja e Kuvendit ka kërkuar nga Lajçaku që BE-ja t`i bëjë presion Serbisë për t`i zbatuar marrëveshjet e deritashme me Kosovën, sikurse edhe t`i ketë parasysh deklarimet me gjuhën e urrejtjes të një pjese të zyrtarëve shtetërorë të Serbisë. Ajo, në veçanti ka kërkuar që BE-ja të dënojë ashpër dhe qartë deklarimet lidhur me fshehjen e varrezave masive në Serbi dhe gjithashtu të kërkojë veprime konkrete nga pala serbe për zbardhjen e fatit të të pagjeturve", thuhet në komunikatë. /Zëri