Deputeti i PDK-së i kërkon Hotit ta hapë urën mbi Ibër
Deptueti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e PDK-së, Abelard Tahiri, ka kërkuar nga kryeministri i vendit, Avdullah Hoti që të marrë vendim dhe të hapë urën e Ibrit që ndan Mitrovicën e Jugut me atë të Veriut.
Duke folur për dialogun në interpelancën e kryeministrit Avdullah Hoti, Tahiri ka thënë se tashmë janë plotësuar kushtet që ura mbi lumin Ibër të hapet për qarkullim, pasi sipas tij është bërë mjaft përparim në atë pjesë në lidhje me zbatimin e ligjit, transmeton Zeri.info.
“Pasi ndërlidhet me çështjen e dialogut, kërkoj nga ju kryeminsitër që të merrni iniciativën dhe ta hapni urën mbi lumin Ibër. Është bërë një kohë shumë e gjatë, është përgjegjësi e institucioneve të Kosovës, është bërë mjaft në atë pjesë, është instaluar gjyqësori dhe prokuoria, kemi një polici mjaft efikase. Derisa dikur kriminelët e kërkuar nga Interpoli fshiheshin në veri të Kosovës, sot e kanë të pamundshme sepse tani ekziston prokuroria, policia dhe gjyqsori, pra nuk ka asnjë nevojë që të shtyhet më tutje moshapja për qarkullim mbi lumin Ibër”, ka thënë Tahiri në Kuvend. /Zëri