Profesori Limani: Edhe pozita, edhe opozita fajtore që s’po kalon projektligji për rimëkëmbjen ekonomike

Profesori Limani: Edhe pozita, edhe opozita fajtore që s’po kalon projektligji për rimëkëmbjen ekonomike

Aktuale September 29, 2020 - 00:00

Pesë herë është proceduar në votim dhe po kaq herë ka dështuar të marrë votat e duhura Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike i propozuar nga Qeveria e Kosovës.

Partitë opozitare, PDK-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje, nuk po japin votat e tyre që të kalojë ky projektligj që mëton ringjalljen ekonomike dhe ndihmën e bizneseve në krizën e shkaktuar nga pandemia COVID-19.

Profesori i ekonomisë Musa Limani ka thënë se e ka përcjellë secilën seancë të Kuvendit ku është hedhur në votim Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike, derisa ka shtuar se pandemia ka shkaktuar probleme shumë komplekse në fushën e ekonomisë.

“Pandemia e koronavirusit ka krijuar probleme shumë të mëdha në përmasa botërore dhe ato efekte janë edhe në Kosovë, qoftë në shëndetin e popullatës apo ekonominë e Kosovës. Pandemia ka paraqitur probleme komplekse të përgjithshme në sektorin e ekonomisë, sepse me masat kufizuese për t’u kryer aktiviteti në disa sektorë të ekonomisë ka ardhur deri te largimi i një numri të konsiderueshëm të punëtorëve, ndërprerja e punës apo prodhimit kështu që është paraqitur një problem i veçantë”.

Limani në Edicionin Special në Klan Kosova ka deklaruar se për situatën e krijuar ku Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike duket se nuk po arrin asesi që të marrë votat e duhura dhe të kalojë në Kuvend janë fajtorë sa pozita, aq edhe opozita.

“Në aspektin juridik del se qeveria nuk i ka votat e caktuara, prandaj jo vetëm këtë ligj, por çdo ligj që do opozita ta pengojë qeveria nuk mund ta kalojë. Në aspektin profesional nuk kam qasje në këtë ligj, por nga diskutimet e deputetëve të opozitës kam mundur të kuptoj se ligji ka mangësi përmbajtësore dhe vlerësore, sepse vlera e cila është paraparë me këtë ligj arrin në 400 milionë që edhe unë mendoj se është një shifër shumë e vogël për të ndikuar në përmirësimin ose rimëkëmbjen e ekonomisë e cila edhe para pandemisë ka qenë në situatë shumë të rëndë”.

“Mendoj se deputetët e pozitës, ashtu si edhe të opozitës, mbajnë përgjegjësinë e tyre. Përgjegjësia e opozitës qëndron në atë që kur flitet për ndonjë çështje që është madhore dhe ka interes të përgjithshëm duhet të gjendet një gjuhë e përbashkët dhe bashkë me pozitën ta zgjedhin këtë problem. Deputetët e pozitës nuk po aprovojnë amendamentet që japin deputetët e opozitës, prandaj të dyja palët janë fajtorë – cili më shumë e cili më pak s’ka rëndësi, por këtu pëson ekonomia e Kosovës”.

Por, si e sheh profesori Musa Limani çështjen e shumëpërfolur të tërheqjes së 10 për qindëshit nga Trusti Pensional i Kosovës dhe propozimin e PDK-së që kjo të zgjidhet përmes plotësim-ndryshimit të Ligjit për Fondet Pensionale?

“Sa i përket 10 për qindëshit mendoj se do të jetë një shumë jo e konsiderueshme dhe nuk do ta rrisë shumë kërkesën agregate siç mendon qeveria, sepse përmes tërheqjes së 10 për qindëshit që duhet të jetë diku rreth 200 milionë nuk ndikon në çështjen e rritjes së kërkesës agregate”.

“Unë kam një mendim tjetër. Mjetet e trustit duhet të sillen në sistem bankar edhe mjetet e fondit të privatizimit duke mos ia ndërruar destinimin e tyre, por të futen në sistem bankar, sepse me këtë rast rritet tregu i kapitalit edhe rriten mundësitë për dhënien e kredive me kushte më të volitshme dhe në këtë mënyrë qeveria do të ndikonte shumë më shumë në rimëkëmbjen ekonomike dhe zhvillimin ekonomik. Po ashtu, Qeveria duhet të marrë masa të tjera institucionale, sidomos instrumentet e politikës fiskale duhet të jenë shumë të favorshme sa i përket bizneseve”.

Profesori Limani e ka ‘notuar’ kryeministrin Avdullah Hoti, që po ashtu është profesor i ekonomisë, për menaxhimin e pandemisë në aspektin ekonomik.

“Jam profesor për studentë, jo për profesorë. Avdullah Hotin e njoh si ekspert të mirë të ekonomisë. Me sa unë po e përcjell, ai po bën angazhimet maksimale në aspektin profesional, por ka pengesa. Pengesa kryesore është që ka trashëguar shumë gjëra negative me të cilat tani përballet dhe duhet t’i zgjidhë. Për mua tash për tash do ta vlerësoja në aspektin profesional me notë të lartë – 8 e përpjetë”.