Mustafës i lexohet aktakuza, dyshohet për vrasjen e një personi dhe torturimin e 6 individëve

Mustafës i lexohet aktakuza, dyshohet për vrasjen e një personi dhe torturimin e 6 individëve

Aktuale September 28, 2020 - 15:59

Ka nisur gjykimi ndaj ish-ushtarit të UÇK-së, Salih Mustafa, në Gjykatën Speciale, i arrestuari i parë i kësaj gjykate.

Në seancën e parë gjyqësore kundër tij në Hagë i është lexuar edhe aktakuza që rëndon ndaj tij, raporton “Zeri.info”.

Këto janë katër pikat e aktakuzës kundër Mustafës:

1. Krime lufte të ndalimit arbitrar, të kryera në një kompleks ndalimi në Zllash të Kosovës ndaj të paktën 6 individëve;

2. Krime lufte të trajtimit mizor, të kryera në një kompleks ndalimi në Zllash kundër të paktën 6 individëve;

3. Krime lufte të torturës, të kryera në një kompleks ndalimi në Zllash kundër të paktën 6 individëve;

4. Krimin e luftës, të vrasjes së paligjshme, të kryera në një kompleks ndalimi në Zllash kundër një individi;

Të gjitha këto krime Mustafa dyshohet se i ka kryer midis periudhës 1 deri më 19 prill 1999.

“Në lidhje me këto krime ekziston dyshimi i bazuar mirë se zoti Mustafa është penalisht përgjegjës në bazë të Nenit 16 1A të Ligjit për Kryerje Fizike të Krimeve të Përfshira në pikat 1 deri në 3, kryerjen si anëtar i Ndërmarrjes Kriminale të Përbashkët të krimeve në pikat 1 deri në 4 dhe në alternativë për pikën 4 për kryerjen si anëtar i Ndërmarrjes Kriminale të Përbashkët të përmendur më lart të krimit të vrasjes së paligjshme, duke qenë i vetëdijshëm se një krim i tillë mund gjatë zbatimit të qëllimit të përbashkët të Ndërmarrjes Kriminale të Përbashkët dhe duke marrë përsipër këtë rrezik me vullnet të lirë, urdhërimin e krimeve në pikat 1-3, nxitjen e krimeve në pikat 1-3 dhe më tej dhe në alternativë ndihmën dhe inkurajimin e krimeve në pikat 1-4. Gjithashtu edhe në alternativë ndaj përgjegjësisë së pretenduar në bazë të ligjit 16 1A të Ligjit ekziston një dyshim i bazuar mirë se Mustafa është penalisht përgjegjës për krimet 1-4 si epror në bazë të Nenit 16 1C të Ligjit”, tha sekretarja e Gjykatës. /Zëri

Ndërkaq, Mustafa nuk është deklaruar rreth fajësisë, duke thënë se do të konsultohet me avokatin e tij.

“Nuk do të deklarohem sot, do të konsultohem me avokatin”, ka thënë Mustafa gjatë seancës para gjyqtarit të procedurës paraprake. /Zëri