Infektuar: 18910
Shëruar: 15367
Vdekur: 674
Lushtaku thotë se Kurtit dhe LVV-së i mungojnë vlerat prandaj nuk mund t'i mbrojnë vlerat e UÇK-së

Lushtaku thotë se Kurtit dhe LVV-së i mungojnë vlerat prandaj nuk mund t'i mbrojnë vlerat e UÇK-së

Aktuale September 27, 2020 - 19:49

Pas aksionit të fundit në OVL-UÇK ku u arrestuan krerët e kësaj organizate, Nasim Haradinaj e Hysni Gucati, kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti sot ka deklaruar se qeveria e udhëhequr nga vetë ai do t'i mbronte luftëtarët e UÇK-së.

E ndaj kësaj ka reaguar Sami Lushtaku nga PDK duke thënë se për ta mbrojtur një vlerë, "atë vlerë duhet ta kesh tënden ose së paku të dëshmohesh se sadopak e ndjen atë", e kjo, sipas tij, i mungon Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Lushtaku përmes llogarisë së tij në “Facebook” ka shkruar se të gjithë ata që prej nga paslufta e deri sot, me akuzat e tyre ia vendosën themelet çdo gjykate që synonte të njolloste UÇK-në, të njëjtit "tani përnjëherë po na prezantohen si gardianët e luftës dhe luftëtarëve".

Ai thotë se "mbrojtja“ e tyre nuk është asgjë tjetër përveçse një kor kopallash e demagogjishë neveritëse.

“UÇK-ja as nuk ishte dhe as nuk është ekskluzivitet i askujt në veçanti. UÇK-ja është vlerë sublime, simbol i përhershëm, histori e pashlyeshme dhe amanet i të rënëve për liri.

Sot, ata që na sulmuan dhe tentuan ta relativizonin e minonin UÇK-në si themel të shtetit të Kosovës, befas po na dalin si mbrojtës, e të tillët janë të njëjtit që sulmuan edhe shtetin e Kosovës, janë të njejtit që nuk besuan as në liri e as në pavarësi. Mençuria pas kuvendit e trimëria pas beteje nuk kanë asnjë vlerë, përveç për demagogët dhe frikacakët. Ne të gjithë duhet ta ruajmë UÇK-në nga pretendimet monstruoze të gjykatave dhe njëkohësisht nga këta "gardianët" që zhurmën e tyre nuk e kanë të sinqertë", ka thënë Lushtaku.

Ish-deputeti i PDK-së në fund ka shtuar se UÇK-ja është e popullit dhe jo e partive politike "të cilat mbrojtjen e vlerave të UÇK-së e kanë për konsum e përfitime politike". /Zëri