Komunat humbin 5.2 milionë euro, ministri Rakiç shkëput njëanshëm marrëveshjen me donator

Komunat humbin 5.2 milionë euro, ministri Rakiç shkëput njëanshëm marrëveshjen me donator

Aktuale September 26, 2020 - 14:17

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka reaguar sot lidhur me vendimin e ministrit të Pushtetit Lokal, Goran Rakiç, për shkëputjen e kontratës me donator për skemën e granteve për komuna.

AKK-ja njofton se nuk pajtohet me këtë vendim, duke akuzuar ministrinë për vendimmarrje të njëanshme, nga e cila komunat do të humbin 5.2 milionë euro, shkruan “Zeri.info”.

“AKK-së nuk pajtohet me arsyetimin e këtij vendimi se deklarata e Kuvendit të AKK-së, ku kërkohet transparencë dhe bashkëpunim më të mirë në mes MPL e Komunave, është shkaktar për shkëputjen e njëanshme të marrëveshjes tripalëshe. Vendimi mbi ndërprerjen e marrëveshjes tripalëshe nuk do të duhej të merrej pa konsultim paraprak me partnerët e marrëveshjes e në këtë rast edhe pas konsultim paraprak me komunat e Republikës së Kosovës si përfituese të këtij granti”, thuhet në komunikatën e AKK-së për medie.

Asociacioni i komunave kërkon nga kryeministri, Avdullah Hoti, që të ndërmarrë veprime “për të shtruar në përgjegjësi gjithë akterët që kanë ndikuar për një situatë të tillë si dhe ndaj zyrtarëve të lartë të MPL-së që kanë bërë deklarata fyese për Kryetarët e Komunave”./Zëri