Dega e OVL-së në Fushë Kosovë bën thirrje për sjellje qytetëruese pas aksionit të EULEX-it

Dega e OVL-së në Fushë Kosovë bën thirrje për sjellje qytetëruese pas aksionit të EULEX-it

Aktuale September 26, 2020 - 13:21

Dega e OVL-së së UÇK-së në Fushë-Kosovë ka bërë thirrje për respekt dhe sjellje qytetëruese pas aksionit të djeshëm të pjesëtarëve të EULEX-it në zyrat e kësaj organizate në Prishtinë.

Nga kjo degë e kanë vlerësuar të panevojshëm spektaklin e krijuar me rastin e bastisjes së zyrave të OVL-së dhe arrestimeve të krerëve të organizatës.

“OVL UÇK-së Dega në Fushë Kosovë e vlerëson krejtësisht të panevojshëm spektaklin e krijuar me rastin e bastisjes së zyrave të OVL-së dhe arrestimet spektakolare të krerëve të organizatës sonë. OVL UÇK-së është organizatë vullnetare, e përcaktuar fuqishëm në mbrojtje të vlerave të luftës së shenjtë të UÇK-së dhe në mbrojtje të të gjithë pjesëtarëve të saj dhe misionit të luftës së UÇK-së, për të krijuar një shtet të lirë për të gjithë, të pavarur dhe të sigurt për të gjithë banorët, pa dallim, feje, kombi apo raceje. OVL e UÇK-së Dega në Fushë Kosovë bën thirrje për maturi, për sjellje qytetëruese dhe për respekt të ndërsjellë. Askujt nuk i bën nderë arroganca, sjelljet e padinjitetshme të kujtdo qoftë”, thuhet në njoftimin e tyre.

Po ashtu nga dega e OVL-së në Fushë-Kosovë kanë thënë se zyrat e OVL-së nuk janë adresa për bastisje dhe arrestime.

“OVL e UÇK-së, dega në Fushë Kosovë vlerëson se veteranët, përkatësisht zyrat e OVL-së nuk janë adresa për bastisje e arrestime të papritura me përgatitje e arsenal, kur kihet parasysh fakti se askush nuk po ikë askund dhe kjo do të mund të bëhej me një ftesë në mënyrë krejtësisht normale. Krijimi i përshtypjeve sikur po kapen kriminelët dhe po bastiset ndonjë organizatë kriminale, është i dhimbshëm për çdo veteran luftëtar të këtij vendi, për çdo qytetar që krenohet me luftën e UÇK-së”, thuhet më tej në njoftim.

Ata kritikojnë edhe heshtjen e qeverisë së Kosovës thonë se është për keqardhje heshtja e tyre.

“Është tejet për keqardhje edhe heshtja e Institucioneve të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Pamjet e arrestimeve nga njësitë policore të djemve tanë më të mirë, shumica e të cilëve janë luftëtarë e bijë luftëtarësh, janë pamje që nuk do të duhej t’ua ofronim prindërve e familjarëve të dëshmorëve, nuk do të duhej t’ua ofronim këto pamje familjeve tona e fëmijëve tanë”, është bërë e ditur në njoftimin e degës së OVL-së në Fushë-Kosovë.

Nga dega u bëjnë thirrje të gjithëve që të sillen mirë dhe dinjitetshëm.

“Ne u bëjmë thirrje të gjithëve pa përjashtim, veteranëve dhe të gjithë kolegëve tanë, Institucioneve të Kosovës, që të sillemi mirë dhe dinjitetshëm, që të kryejmë secili punën dhe obligimin tonë. Veteranët e UÇK-së kanë vuajtur shumë, kanë kontribuar shumë, kanë treguar maturi e pjekuri në momentet më të vështira historike, veteranët e UÇK-së duhet të trajtohen dinjitetshëm dhe me respekt. Ne edhe në këto kohë çoroditëse dhe nëpërkembëse që po kalojmë do të dijmë të reagojmë dinjitetshëm, sepse askush nuk mund të na e shuajë dashurinë për këtë vend, dëshirën e angazhimin tonë për të pasur një shtet të fortë e të vendosur dhe jo një shtet servil dhe një pushtet që sillet si fantazmë konform zhvillimeve”, thuhet në njoftim.

Po ashtu OVL e UÇK-së, dega në Fushë Kosovë vlerëson se është koha që të reflektojnë të gjitha, institucionet qendrore e lokale, media, organizata tjera për të kundërshtuar me argumente këtë formë të sjelljes ndaj institucioneve që kanë dalë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila ka pikërisht këtë mision - Mbrojtjen e vlerave të luftës dhe promovimin e idesë për për një shtet 100% të pavarur. /Zëri