Veliu jep detaje të reja për rastin në Karaçevë, paralajmëron vazhdim të aksionit

Veliu jep detaje të reja për rastin në Karaçevë, paralajmëron vazhdim të aksionit

Aktuale September 21, 2020 - 09:05

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, sot në mbledhjen e Qeverisë ka folur për aksionin e policisë në Karaçevë.

Veliu ka thënë se përveç 37 personave të arrestuar në aksion, në Karaçevë dhe në disa fshatra përreth janë rrënuar 13 objekte, transmeton “Zeri.info”.

“Karaçeva, zona e kazinove, disa fshatra të Kamenicës dhe në qytet dhe në Prishtinë, Gjilan, Viti dhe Lipjan, janë arrestuar 37 persona, ku 30 janë ndaluar me vendim të prokurorit për procedurë të mëtejme. Të 30 të ndaluarve u është vazhduar masa e ndalimit për 30 ditë. Në zonën e Karaçevës janë sekuestruar rreth 220 aparate, 6 shtëpiza kompjuterike, një armë me gaz, një karikator dhe një kombi me kafshë të kontrabanduara. Pas ekzaminimit dhe tërheqjes së provave materiale, në këtë zonë janë rrënuar 13 objekte”, tha Veliu.

Veliu ka treguar se aksion të ngjashëm ka pasur edhe në Gjilan dhe në Viti, ku janë kontrolluar 28 lokacione, ndërsa ka paralajmëruar se pas hetimeve që po vazhdojnë mund të ketë aksione të tjera ditëve në vazhdim.

“Po ashtu edhe në Gjilan e në Viti janë kontrolluar 28 lokacione, ku morën pjesë njësitë policore, njësitë e rendit, Inspektorati Policor, zyrtarë të tjerë ligjorë. Hetimet vazhdojnë dhe mund të ketë vazhdim të aksionit edhe në ditët në vazhdim”, tha Veliu. /Zëri