Kurti e quan Veliun ministër të Thaçit

Kurti e quan Veliun ministër të Thaçit

Aktuale September 19, 2020 - 15:05

Lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti dhe njëherit ish kryeministër e ka akuzuar ministrin e Punëve të Brendshme Agim Veliu se punon nën urdhrat e presidentit Hashim Thaçi.

Kurti në konferencën për media ku foli për aksionin në Karaçevë tha se ministri Veliu bashkëpunon dhe sot e kësaj dite me Thaçin, duke e ndërlidhur që dhe shkarkimi i tij u bë pikërisht për këtë për shkak se deshi të shpallë gjendje të jashtëzakonshme në pandemi bazuar në kërkesën e Thaçit.

Kurti tha për Veliun se sa ishte ministër i tij në qeverinë Kurti, ky i fundit ka shkuar që të merrte leje për aksione në Zubin Potok dhe Karaçevë. Ai tha se Veliu nuk i kishte dërguar asnjë informacion, vetëm se kërkonte leje për të ndërhyrë.

Po ashtu Kurti thotë se në kohën sa ishte kryeministër nga Veliu ka kërkuar aksion të përgatitur mirë dhe jo aventura.

“Më lejoni ta përkujtojë ditën e dytë të punës sime si kryeministër me datën 5 shkurt kur ai ish ministri im i brendshëm pat ardhur me kërkesën për leje në Zubin Potok pak më vonë edhe për një aksion në Karaçevë pa u bërë një muaj.Ky ish ministri im vinte pa asnjë fjalë goje pa asnjë letër ndalim, pa asnjë hollësi të nevojshme të planifikimit që të kërkoj pëlqimin tim për aksion. Uroj që kësaj radhe të jetë krejtësisht ndryshe. Nuk mund të pranoja një sugjerim të tillë për leje për aksion ku nuk kishe asnjë hollësi. Krejt çka mundi të më ofrojë ish-ministri im, se e ka siguruar Miradija (ish-Kryeshefja e Inspektoratit) se gjithçka do të shkonte në rregull. Edhe ky zotim ishte vetëm gojarisht”, tha Kurti në konferencën për media.

Kurti tha se Veliu në të dy rastet pat dështuar që t’i sjell diçka me shkrim për planet e aksioni policor. “Vetëm kërkonte lejen time pa dhënë informacion për mua si kryeministër. Kjo nuk është mënyra se si duhet të veprojë qeveria e të marrë vendime kryeministri”, tha Kurti.

Kurti tha se ka insistuar për një aksion të përgatitur mirë dhe jo aventura.

Ai tha se e ka shkarkuar Veliun sepse e ka mbështetur presidentin Thaçi për gjendjen e jashtëzakonshme teksa sipas tij ende vazhdojnë të bëjnë gjithçka në koordinim me të.

Po ashtu, ish kryeministri ka thënë se Veliu nuk kishte asnjë dokument.

“Kurse ish ministri im në atë kohë të cilin pastaj e shkarkova sepse mbështeti presidentin në iniciativën e fundit për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe duket që gjithçka bëjnë në koordinimin edhe sot e kësaj dite”, potencoi Kurti. /Zëri