Alon Ben Meir: Dëshpëruese që Hoti nuk kërkoi që përgjithmonë të ndalohet fushata e Serbisë kundër Kosovës

Alon Ben Meir: Dëshpëruese që Hoti nuk kërkoi që përgjithmonë të ndalohet fushata e Serbisë kundër Kosovës

Aktuale September 18, 2020 - 18:19

Eksperti amerikan për Ballkanin, Alon Ben Meir, ka folur sot në lidhje me marrëveshjen e 4 shtatorit në Washington mes Kosovës dhe Serbisë.

Meir ka thënë se më 4 shtator, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka humbur mundësinë që nga Serbia të kërkonte që ta ndal fushatën kundër Kosovës përgjithmonë dhe jo vetëm një vit ashtu siç shkruan në marrëveshje.

Meir i cili ka folur në emisionin “Drive Time” në Radio Prishtina, ka thënë gjithashtu se marrëveshja e 4 shtatorit është edhe një mjet që Trump ka përdorur para zgjedhjeve që të tregohet si një paqedashës para popullit amerikan, transmeton Zeri.info.

Sipas tij, Kosova është dashur që të insistojë në njohje fillimisht dhe pastaj të zgjedh çështjet tjera me Serbinë.

“Në Washington është dëshpëruese që kryeministri Hoti nuk ka insistuar që Serbia të heq dorë përgjithmonë nga kampanja kundër Kosovës dhe jo vetëm për një vit siç është nënshkruar në marrëveshje. Në parim çdo marrëveshje është e mirë që përafron popujt por nuk pret që pas një viti të ketë ndikim”

“Kjo marrëveshje më së shumti është përdorur nga Trump para zgjedhjeve që dëshiron të tregohet si një paçebërës dhe siç ka bërë edhe mes Emirateve Arabe dhe Izraelit. Ajo çka është dashur të insistohet nga Turump dhe Hoti është që Serbia ta kuptojë se Kosova është shtet i pavarur i njohur nga mbi 110 shtete. Ekzistojnë disa çështje që mund të zgjidhen por fillimisht është dashur të insistohet në njohje”, ka thënë Meir në Radio Prishtina.

Profesori amerikan më tej thotë se Kosova duhet të forcojë pozitën negociuese sepse nuk duhet të vihet asnjëherë në pikëpyetje ekzistenca e saj, ndërsa ka thënë se njohja nga Izraeli mund t’i sjell Kosovës përfitime, ndërsa e quan si të gabuar deklarimin se do të hapet ambasada në Jerusalem, pasi sipas tij e gjitha është një lojë e presidentit Trump.

“Kjo është një gjë e mirë sepse Izraeli është një shtet i fuqishëm për çka Kosova mund të përfitojë shumë, por është shqetësuese deklarimi i Kosovës se do të hap ambasadën në Jerusalem dhe ky më shumë është një shoë i Trumpit. Kosovarët nuk duhet të bien pre e truqeve elektorale të Trumpit por ta kenë një politik afatgjate”, ka thënë Meir

Meir ka thënë se është duke shkruar një libër në lidhje me krimet e luftës nga Serbia në Kosovë, ndërsa thotë se nuk mund të ketë pajtim pa kërkim falje.

“Jam duke shkruar libër për çështjen e krimeve të luftës në Kosovë. Pa kërkimfalje nuk ka pajtim, Serbia duhet ta ndjek shembullin e Gjermanisë e cila menjëherë pas Luftës së II Botërore ka kërkuar falje dhe çdo ditë punon për të ta treguar se nuk do të përsëritet ky krim. Këtë duhet ta bëjë edhe Serbia dhe prej aty të fillojë procesi i normalizimit”,ka thënë ai në Radio Prishtina.

Krejt në fund eksperti për Ballkanin, e ka këshilluar Qeverinë e Kosovës që të punojë më shumë në sundim të ligjit dhe zhvillim ekonomik që të ndal “ikjen e trurit” nga vendi.

“Qeveria e Kosovës duhet ta nis një fushatë të ringjalljes ekonomike dhe përdorimit të resurseve humane dhe natyrore, ta luftojë korrupsionin, të sundohet ligji, sepse çdo ditë po ka “ikje të trurit” nga Kosova dhe të gjitha këto duhet të ndalen që të krijohet një perspektiv në Kosovë”, ka thënë Meir./Zëri