Lushtaku paralajmëron hyrjen e PDK-së në qeverinë “Hoti”

Lushtaku paralajmëron hyrjen e PDK-së në qeverinë “Hoti”

Aktuale September 18, 2020 - 14:38

Ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka thënë sot se Kosova ka nevojë për qeveri stabile, duke paralajmëruar hyrjen e PDK-së në qeverinë e kryeministrit Avdullah Hoti.

Përmes një shkrimi në “Facebook”, kryetari i Degës së PDK-së në Skenderaj ka përmendur situatën me COVID-19, dialogun me Serbinë, situatën ekonomike dhe mungesën e shumicës në Kuvend, që sipas tij për të gjitha këto PDK-ja duhet të marrë përgjegjësi më të mëdha, sepse ka përvojë dhe kapacitete për të qenë pjesë e këtyre proceseve, transmeton “Zeri.info”.

“Në vend të kritikave duhet të bëhet bashkë pozita dhe opozita, sidomos PDK-ja, e cila duhet të marrë përgjegjësi më të mëdha, sepse ka përvojë dhe kapacitete për të qenë pjesë e këtyre proceseve. Kosova ka nevojë për stabilitet politik. Nuk na duhen inate e protagonizëm. Na duhet qeveri që ruan dhe afirmon miqësinë me SHBA-në. Na duhet qeveri vendimmarrëse që u jep përgjigje meritore këtyre sfidave, të cilat i kemi para nesh”, ka shkruar Lushtaku në “Facebook”.

Shkrimi i plotë i Lushtakut:

Kosova ka nevojë për qeveri stabile.

Vendi ynë ka para vetës sfida të mëdha. Menaxhimi i pandemisë COVID-19, dialogu me Serbinë dhe zhvillimet qe lidhen me Gjykatën Speciale kanë nevojë për qeveri të qëndrueshme, e cila përbëhet nga shumica e kualifikuar, me qëllim që vendimmarrja karshi këtyre sfidave të jetë e lehtë.

Ekonomia dhe qytetarët e Kosovës presin dorën e shtetit në këtë kohë të krizës. Mosvotimi i ligjeve që mundësojnë tërheqjen e shumës prej 10% nga Trusti nuk i është dashur askujt. Edhe mosvotimi i mëhershëm i Ligjit për vlerat e luftës ka qenë gabim i rëndë i Qeverisë.

Pastaj mosvotimi i një pakoje të gjerë emergjente për inate ndërmjet pozitës dhe opozitës dëmton direkt qytetarin e Kosovës. Qytetarët dhe ekonomia jonë kanë nevojë për stimuj, që sadopak ndihmojnë për ta kaluar sa më lehtë këtë situatë.

Dialogu me Serbinë duhet të marrë epilog. Është tema më e lodhshme dhe më e rënda që prej pasluftës e tutje. Ky dialog duhet të përfundojë me njohje reciproke. Por edhe në këtë proces nevojitet konsensus i plotë pozitë dhe opozitë. Është qasje e gabuar që kushdo që udhëheq dialogun dhe bën marrëveshje të kritikohet e të etiketohet si "tradhtar". Në vend të kritikave duhet të bëhet bashkë pozita dhe opozita, sidomos PDK-ja, e cila duhet të marrë përgjegjësi më të mëdha, sepse ka përvojë dhe kapacitete për të qenë pjesë e këtyre proceseve.

Kosova ka nevojë për stabilitet politik. Nuk na duhen inate e protagonizëm. Na duhet qeveri që ruan dhe afirmon miqësinë me SHBA-në. Na duhet qeveri vendimmarrëse që u jep përgjigje meritore këtyre sfidave që i kemi para nesh. SL