Infektuar: 18910
Shëruar: 15367
Vdekur: 674
Syla: Ekziston rreziku nga vala e re e pandemisë në Kosovë

Syla: Ekziston rreziku nga vala e re e pandemisë në Kosovë

Aktuale September 16, 2020 - 19:35

Gjatë muajit shtator në Kosovë, është shënuar një rënie e lehtë e të infektuarve me koronavirus, që e shkakton sëmundjen COVID-19.

Muaji korrik e gusht ka qenë kulmi i të infektuarve ku shifrat ditore kanë qenë kryesisht treshifrore, kurse në ditët e fundit, numri i infektuarve me koronavirus nuk ka kaluar shifrën 76.

Po ashtu, është shënuar edhe rënie e rasteve të vdekjes si pasojë e koronavirusit. Në shtatë ditët e fundit, 30 persona kanë ndërruar jetë si pasojë e koronavirusit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se këtë vjeshtë, Evropa duhet të jetë e përgatitur për më shumë vdekje nga COVID-19, kjo pasi ka filluar të rritet numri i të infektuarve në Evropë, e që rrjedhimisht parashihet të ketë më shumë vdekje.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shënuar rekord ditor të rasteve të reja me koronavirus, meqë në gjithë botën janë regjistruar 307,930 persona të prekur nga sëmundja COVID-19, që shkakton ky virus.

Kjo Organizatë ka thënë më 14 shtator, se përgjatë një dite janë regjistruar edhe 5,500 vdekje, duke e çuar totalin e viktimave në 917,417. Rritja më e madhe e infektimeve është raportuar në Indi, Shtetet e Bashkuara dhe Brazil.

Udhëheqësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Bullgari, Skender Syla, në një deklaratë dhënë Radios Evropa e Lirë, tha se derisa virusi është i pranishëm në mesin tonë, ekziston rreziku potencial që të kemi ngritje të numrit të rasteve apo valë të re të pandemisë.

‘’Në ditët e fundit në rajonin evropian jemi dëshmitarë të shtimit të numrit të rasteve sidomos në Spanjë, Francë, Itali, Angli por edhe në vende tjera. Kosova në muajt korrik dhe gusht ka pasur një shtim të numrit të rasteve, derisa gjatë shtatorit kemi një stabilizim të numrit të rasteve. Duhet të jemi vigjilent sepse mund të kemi rritje të numrit të rasteve dhe kjo varet ekskluzivisht prej masave të parapara nëse ato respektohen në mënyrë rigoroze, atëherë mund të mbahet situata nën kontroll. Por, assesi nuk bën që të ripërsëritet gjendja kur u bë lirimi i masave gjatë fundit të majit në Kosovë, pa ndonjë kontroll të duhur’’, tha Syla.

Artikullin e plotë mund ta lexoni KETU