Infektuar: 17009
Shëruar: 14716
Vdekur: 656
Kosova kushtëzon Serbinë për Asociacionin: Zbatimi, pas njohjes reciproke

Kosova kushtëzon Serbinë për Asociacionin: Zbatimi, pas njohjes reciproke

Aktuale September 16, 2020 - 08:11

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe do të rikthehet në fokus të dialogut Kosovë-Serbi këtë të enjte, porse autoritetet kosovare insistojnë se kjo temë “do të jetë vetëm pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve ndërmjet të dyjave vendeve”.

Xhavit Beqiri, këshilltar i kryeministrit Avdullah Hoti, thotë se Kosova do të kushtëzojë zbatimin e Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe me njohjen reciproke. Ai e konfirmoi këtë qëndrim për Radion Evropa e Lirë, para se ekipet e ekspertëve të të dyjave vendeve të takohen të enjten në Bruksel, ku do të diskutojnë “për aranzhimet rreth komuniteteve joshumicë dhe zgjidhjen e kërkesave të ndërsjella financiare dhe pronave”.

Beqiri insiston se Kosova nuk do të nënshkruajë marrëveshje të veçanta për çështje specifike.

“Qëndrimi zyrtar i delegacionit të Kosovës dhe i kryeministrit po ashtu është se asnjë marrëveshje, sado e vogël, për çështje që duken të parëndësishme, nuk mund të arrihet, nëse nuk arrihet marrëveshja finale, ligjërisht e obligueshme, gjithëpërfshirëse, ku do të përfshihet edhe njohja”, deklaroi Beqiri për REL-in.

Krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit të vitit 2013, e arritur në dialogun Kosovë-Serbi. Më 2015-n të dyja vendet, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kishin arritur një marrëveshje shtesë për themelimin e këtij Asociacioni, porse Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur që parimet për Asociacionin nuk janë në përputhje me Kushtetutën. Megjithatë, Kushtetuesja përcakton se parimet mund të harmonizohen me akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Lajmin e plotë mund ta lexoni në Radio Evropa e Lirë