Infektuar: 17009
Shëruar: 14716
Vdekur: 656
DFC dhe EXIM nënshkruajnë me Kosovën dhe Serbinë letrat e interesit për të investuar në “Autostradën e Paqes”

DFC dhe EXIM nënshkruajnë me Kosovën dhe Serbinë letrat e interesit për të investuar në “Autostradën e Paqes”

Aktuale September 15, 2020 - 21:09

Pas marrëveshjes të normalizimit ekonomik të nënshkruar nga Kosova dhe Serbia më 4 shtator në Washington, Kryeshefi Ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave të Zhvillimit të SHBA-së (DFC) Adam Boehler dhe Kryetarja e Bankës së Eksport-Importit (EXIM) Kimberly Reed, kanë nënshkruar kontratën e quajtur “Letrat e Interesit” (LOI) sot me Kosovën dhe Serbinë për të ndihmuar financimin e ndërtimit të "Autostradës së Paqes".

Ky projekt do të lidh Prishtinën dhe Nishin dhe ka qenë prej kohësh një pjesë kryesore e bisedimeve të normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë, thuhet në njoftimin për media DFC-së, transmeton Zeri.info.

Kryeshefi i DFC-së, Adam Boehler, tha se “Autostrada e Paqes do të drejtojë zhvillimin ekonomik dhe integrimin rajonal duke lidhur Nishin dhe Prishtinën. Ajo do të shërbejë gjithashtu si një simbol i fuqishëm i marrëdhënies së re, transformuese midis këtyre vendeve fqinje".

Ai shtoi se DFC, në partneritet me EXIM, është e angazhuar "për avancimin e këtij procesi paqësor duke investuar në projekte që krijojnë vende pune dhe sjellin përfitime të qëndrueshme ekonomike për të dy vendet".

Ndërsa Kryetarja e Bankës së Eksport-Importit, Kimberly Reed, tha se "Autostrada e paqes" është hap i rëndësishëm drejt bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve.

“Autostrada e Paqes është një hap i rëndësishëm drejt bashkëpunimit ekonomik midis Beogradit dhe Prishtinës dhe unë përgëzoj punën e Presidentit Trump dhe të gjithë administratës mbi këtë marrëveshje historike”, tha ajo, duke shtuar se Banka Eksport-Import e Shteteve të Bashkuara i përkushtohet projekteve që avancojnë zhvillimin ekonomik dhe punësimin në rajon.

“Banka Eksport-Import e Shteteve të Bashkuara është e përkushtuar të mbështesë projekte që avancojnë zhvillimin ekonomik dhe punësimin në rajon, dhe mbështesin eksportet dhe punëtorët amerikanë. Unë pres që të punoj me Korporatën Ndërkombëtare të Financave të Zhvillimit të SHBA-së dhe pjesën tjetër të kolegëve të mi ndër-agjentarë të SHBA-së, drejt këtij qëllimi”, tha ajo.

DFC dhe EXIM planifikojnë të dërgojnë delegacione në Kosovë dhe Serbi më vonë këtë muaj për të çuar përpara punën në "Autostradën e Paqes" dhe projekte të tjera. DFC gjithashtu do të hedhë bazat për hapjen e zyrës së saj të parë në rajon.

"Një prani e përhershme e DFC në Beograd do të lehtësojë zbatimin e projekteve përparësore si Autostrada e Paqes që do të mbështesë krijimin e vendeve të punës dhe rritjen ekonomike në rajon", theksohet në komunikatë, përcjell Zeri.info.

Aty theksohet se kontratat e nënshkruara sot nuk janë detyruese dhe do të pasohen nga kujdesi standard i duhur nga të dy agjencitë përpara se financimi të kryhet zyrtarisht. /Zëri