Lama: Memoriali Heroinat një balancim për heronjtë e luftës (FOTO)

Lama: Memoriali Heroinat një balancim për heronjtë e luftës (FOTO)

Aktuale qershor 12, 2015 - 08:59

Memoriali Heroinat, monument i cili i kushtohet sakrificës dhe kontributit të gjithanshëm të gruas kosovare gjatë luftës së vitit 1998-1999, do të inaugurohet sot në parkun përballë Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.

Ndërkaq, lidhje me këtë iniciatorja e këtij projekti Alma Lama, në një intervistë të shkurtër për “Zëri”, ka thënë se gjatë luftës gratë patën barrën më të rëndë, përjetuan vuajtjet më të mëdha, dhe ndoshta ky memorial duhej të ishte bërë i pari në Kosovë.

Lama tha se ky memorial i përket të gjitha grave të Kosovës. Lama ka thënë që secili që ka parë se çfarë ka ndodhur në luftë e ka të qartë se gratë kanë pasur një peshë shumë të rëndë në supe, ndoshta më të rëndën. "Janë rrëfimet e luftës, të shumë e shumë grave që më kanë prekur dhe më kanë dhe idenë se ato meritojnë një vend të rëndësishëm në memorien historike",tha Lama.

Zëri: Kur ka filluar projekti për Heroinat?

Lama: Gjatë miratimit të buxhetit për vitin 2013, pra në dhjetor të 2012 unë kam përgatitur një amendament ku është përshkruar ideja e memorialit si dhe shuma e nevojshme për ta realizuar këtë projekt. Ideja dhe koncepti i një memoriali që nderon kontributin e grave gjatë luftës është përkrahur nga të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe u miratua njëzëri. Më pas ekzekutimi i punës i është ndarë ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, e cila është marrë me realizimin duke filluar nga shpallja e konkursit e deri tek vendosja e veprës në sheshin e përcaktuar për këtë. Unë si iniciuese e projektit kam preferuar ta monitoroj në secilën fazë, në mënyrë që projekti të realizohet ashtu siç ishte paraparë në amendamentin e propozuar. Pra një memorial gjithëpërfshirës që nderon kontributin e secilës grua.

Zëri: Si të lindi ideja për këtë?

Lama: Ideja më ka lindur duke parë anashkalimin që iu bëhet grave pavarësisht se ato kanë dhënë kontribut në ngjarjet historike. Unë për shkak të profesionit të mëparshëm si gazetare e kam vizituar pothuajse të gjithë Kosovën dhe kudo që kam lëvizur më kanë rënë sy memoriale, shtatore që iu kushtohen vetëm heronjve burra, dhe askund nuk më zunë sytë të përmendej edhe kontributi i grave. Secili që ka parë se çfarë ka ndodhur në luftë e ka të qartë se gratë kanë pasur një peshë shumë të rëndë në supe, ndoshta më të rëndën. Janë rrëfimet e luftës, të shumë e shumë grave që më kanë prekur dhe më kanë dhënë idenë se ato meritojnë një vend të rëndësishëm në memorien historike. Ka emra të përveçëm me një kontribut shumë më të madh, ka nga ato që kanë dhënë jetën me armë në dorë, por po kaq i rëndësishëm është kontributi i atyre nënave që u kujdesën për fëmijët e pleqtë, që bënë të pamundurën për mbijetesë në ditët e vështira të luftës. Dhe sapo pata mundësinë, pra të jem vetë ligjvënëse, të kem mundësinë të bëj amendamente e bëra këtë. Dua të theksoj edhe përkrahjen e kolegëve deputete dhe deputetë në këtë projekt të cilët e votuan pa hezitim.

Zëri: A ke pas përkrahje nga institucionet e vendit lidhur me projektin?

Lama: Siç e thashë Kuvendi e ka përkrahur këtë iniciativë ndërsa realizimin ka bërë ministria. Ka pasur mjaft vonesa në realizim për shkaqe objektive dhe subjektive por e rëndësishme është se tani u realizua. Edhe anëtarët e komisionit vlerësues të veprës kanë dhe shumë kontribut duke përzgjedhur veprën më domethënëse, këtë që do të shohim sot, portreti i një gruaje realizuar me mijëra medalje. Kuptimi simbolik është se çdo grua meriton medalje dhe se mund ta gjeje veten në këtë monument.

Zëri: Kush e ka financuar projektin?

Lama: Projekti është pjesë e buxhetit të Kosovës, pra taksapaguesit. Është Kuvendi ai që ka vendosur për miratimin e tij. Heroinat duket një vepër e ndryshme nga ajo që jemi mësuar të shohim, pra ka kuptim simbolik? Kjo është e vërtetë dhe ka qenë mëndim i përbashkët i anëtarëve të komisionit se memoriali duhej të zbërthente në mënyrë simbolike qëllimin për të cilin ndërtohej pra për të nderuar kontributin e gjithanshëm të grave në luftë. Po kështu të ishte një vepër që i përket artit modern, jo atij realist që shohim anekënd Kosovës ku dominojnë statujat. Pra një vepër që rrëfen me gjuhën e simboleve.

Zëri: Pse është pagëzuar me emrin Heroinat?

Lama: Edhe emri është përzgjedhur në mënyrë që të paraqesë kuptimplotë objektin dhe simbolikën e tij. Heroinat si një balancim për heronjtë. Heroinat sepse mendoj se të tilla ishin ato gra që dhanë jetën për lirinë e Kosovës apo që shpëtuan jetë me angazhimin e tyre. Zëri: Inaugurimi do të bëhet nën patronazhin e Zyrës së Kryeministrit. Pse? Lama: Kjo është vendosur për shkak se është projekt i realizuar nga qeveria dhe kjo e fundit ka vlerësuar se është më shumë rëndësi prandaj ka vendosur të angazhohet Zyra e kryeministrit në bashkëpunim me ministrinë e Mjedisit. Ceremonia është e hapur dhe unë shfrytëzoj rastin t’i ftoj të gjithë t’i bashkëngjiten në ora 11.30.