“Mendoj për Ty” mbledh mijëra fustane – Mbulohet stadiumi i Prishtinës (Foto)

“Mendoj për Ty” mbledh mijëra fustane – Mbulohet stadiumi i Prishtinës (Foto)

Aktuale qershor 10, 2015 - 20:51

Që nga tre qershori i këtij viti edhe kur ka filluar zyrtarisht kampanja “Mendoj për Ty”, që u dedikohet të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, janë mbledhur me mijëra fustane, pavarësisht se ende nuk dihet numri i saktë i tyre.

Artistja Alketa Xhafa – Mripa së bashku me producenten Anna Di Lellio, janë ideatorë të kësaj kampanje, apo siç e quajnë ndryshe edhe instilacioni. Ndonëse na ndajnë vetëm edhe dy ditë që nga dita e fundit e përmbylljes së kësaj kampanje, në stadiumin e qytetit të Prishtinës ka filluar ekspozimi i të gjithë fustaneve të dhuruar nga persona të ndryshëm.

Sebahate Pacolli – Krasniqi, menaxhere e Organizatë jo qeveritare “Qendra kosovare për rehabilitimin e të mbijetuarve të torturës”, ka treguar për “Zëri”, në tërësi se si ka lindur kjo ide dhe si ka ecur mbarëvajtja e punës së kësaj kampanje.

Image

Ajo ka treguar se Alketa Xhafa – Mripa së bashku me producenten Ana Dileilo, së pari idenë e tyre e kanë prezantuar tek Këshilli i presidentes për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, e më pas presidentja Atifete Jahjaga, e ka aprovuar këtë ide. Sipas Pacolli – Krasniqit, vetë fakti që presidentja po i mbështet gratë e kësaj kauze, është një mbështetje mjaftë e madhe për këto gra.

“Roli i presidentes është i pazëvendësueshëm në këtë çështje. Të qenit femër dhe të qenit në vazhdimësi përkrahëse e kësaj iniciative, ka bërë që të ndihen mirë edhe të mbijetuarat. Të mbijetuarat i bën me u ndje mirë që një presidente është shumë pro mbrojtjes së statusit të tyre dhe pro mbrojtjes së drejtave të tyre dhe realizimit të benificioneve që i parasheh ligji. Kështu që kjo është një gjë shumë pozitive”, ka thënë Pacolli – Krasniqi për “Zëri”.

Mirëpo, përveç presidentes Jahjaga e cila edhe e nisi këtë kampanjë, rol të madh apo edhe shtyse për të gjithë të tjerët që të dhurojnë fustana ka qenë edhe këngëtarja kosovare me famë botërore Rita Ora, e cila ka dhuruar një fustan.

E këtë gjest të Rita Orës, Pacolli – Krasniqi, e çmon jashtëzakonisht shumë, pasi që siç deklaroi ajo, Rita Ora, Eliza Dushku e shumë e shumë personalitete të tjera kanë bërë që edhe njerëzit e shtresave të tjera të mos hezitojnë ta bëjnë këtë.

Image

“Kjo ka ndikuar mjaftë shumë që edhe njerëzit e thjeshtë të dalin dhe t’i mbështesin këto gra duke dhuruar fustanet e tyre. Fakti që Rita Ora e ka dhuruar një fustan, kjo ka ndikuar shumë”, ka deklaruar ajo. Pacolli – Krasniqi, po ashtu ka treguar për “Zëri”, se kësaj iniciative iu kanë përgjigjur edhe qytetarë nga shtete të ndryshme.

“Çka na gëzon më së shumti fakti është se, përveç personave lokal këtu në Kosovë, ka pasur një pikë grumbulluese në Tiranë. Po ashtu një grumbull i fustaneve është mbledhur në Amerikë përmes një Shoqate të Grave, e kjo të bën të ndihesh mirë që po mobilizohen njerëzit për një kauzë të tillë”, ka treguar ajo. Mirëpo, pavarësisht faktit se janë mbledhur me mijëra fustane, ende nuk dihet se çfarë do të bëhet me to, se a do të shiten e më pas parat e grumbulluara t’u dhurohen grave të mbijetuara nga dhuna gjatë luftës në Kosovë, apo do të gjendet një zgjidhje tjetër. Pacolli – Krasniqi, ka treguar për “Zëri”, se janë dhënë disa ide se çfarë do të bëhet me këto fustane, mirëpo asgjë nuk ka definitive.

Image

 

Ajo ka treguar se njëra prej ideve ka qenë që disa prej fustaneve do të mblidhen e prej tyre do të bëhet në mënyrë artistike një skulpturë apo një monument për këto gra. Pacolli – Krasniqi, ka thënë se ndoshta disa prej fustaneve që kanë vlerë më shumë mbase edhe do të shiten, por ajo, insistoi, që për këtë të pritet pasi që, akoma nuk ka një ide përfundimtare. Këtë kampanjë e kanë ndihmuar edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara si dhe ajo e Britanisë së Madhe, të cilat siç tregoi ajo, kanë ndihmuar në instilacionet teknike, mirëpo sipas Pacolli – Krasniqit ka pasur edhe donator të tjerë që i kanë dalë në ndihmë kësaj kampanje. Edhe pse e gjithë kjo kampanjë po bëhet për vetëdijesimin e popullatës për këto gra, prapë se prapë Pacolli – Krasniqi, thotë se nuk është arritur synimi për këtë kategori të viktimave civile të luftës.

Image

 

“Ne akoma jemi larg realizimit të synimit tonë. Synimi ynë si shoqëri dhe organizatës sonë ka qenë që në radhë të parë ato gra të bëhen pjesë e ligjit. Këtë gjë e arritëm, për shkak se këto gra nuk kanë qenë të përfshira si viktima civile të luftës edhe pse janë viktima. Akoma zbatimi i ligjit nuk ka filluar. Do me thënë aktiviteti po ndryshohet çdo herë varësisht prej zhvillimeve çka janë në teren dhe ne nuk mundem me u ndal dhe me thanë me kaq përfundoi”, tregoi ajo për “Zërin”.

Sipas Pacolli – Krasniqit, më e rënëdishmja për këto gra është që të kapen kryesit e veprave dhe asnjë benificion tjetër nga shteti.

“Ka gra të cilave absolutisht nuk u intereson për pension e as për përfitime të ligjit, për atë grua apo ato gra më e rëndësishme është që kryesi i veprës të marrë dënimin e merituar. Në të gjitha fushat duhet të vetëdijesohemi dhe të veprojmë që të arrijmë deri diku, pasi që kurrë nuk mundemi me arrit që kjo të përfundoj plotësisht. Së pari duhet të dënohen kryesit e veprave, pasi që sa vite shkuan pasi që përfundoi lufta dhe akoma nuk është bërë pothuajse asgjë, pasi që i kanë dënuar dy serbë edhe ata më pas i kanë liruar e përsëri u kthyen në gjykim dhe do me thënë nuk dihet prapë se kur do të përfundoj kjo dhe nuk u bë asgjë. Sa më shumë që vitet kalojnë gjasat janë më të vogla që kryesit e veprave të ndëshkohen. Kështu që kjo punë nuk është që përfundon me kaq dhe shkon hap pas hapi dhe shpresojmë se Ligji gjatë këtij viti do të filloj që të zbatohet dhe janë disa rregullore e procedura administrative në finalizim e sipër, pastaj vazhdojmë që t’i thërrasim viktimat dhe t’i evidentojmë ato”, ka treguar Pacolli - Krasniqi.

 

Image

 

Ajo ka treguar se kjo temë jo vetëm në Kosovë, por edhe në vendet e tjera të botës është akoma tabu, mirëpo sipas saj, më e rëndësishmja është që vetë gratë kanë marrë guximin që të flasin dhe të jenë shembull për gratë e tjera. Por, jo vetëm gratë kanë qenë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Pacolli – Krasniqi, ka treguar se ka edhe meshkuj që kanë qenë viktima. Sipas saj, nëse për gratë kjo ka qenë një temë tabu, atëherë për burrat e dhunuar kjo është dy fish tabu.

“Të mos harrojmë se ne gjithmonë flasim për gra të përdhunuara gjatë luftës dhe këtë non-stop e potencojmë më shumë, mirëpo të mos harrojmë se ka edhe meshkuj që janë pjesë e të mbijetuarve të torturave të luftës. Kjo iu ka kushtuar grave për shkak se duam ta potencojmë edhe atë aspektin gjinor për arsye se në Kosovë gratë janë më të diskriminuara. Tash nëse për gratë kjo çështje për të cilën po flasim ka qenë tabu, të flasim për burra kjo është dyfish tabu. Mirëpo, e vërteta është që ka raste”, ka treguar Pacolli - Krasniqi.

 

Image

 

Edhe pse kjo temë është mjaftë e ndjeshme dhe cilësohet akoma si një temë tabu, Pacolli – Krasniqi, ka thënë se ka pasur mjaft progres në këtë aspekt. Mirëpo, sipas saj, ajo çka është më e rëndësishmja është se këto gra janë treguar mjaftë të guximshme për faktin se kanë ngritur zërin e tyre dhe të kërkojnë të drejtat e tyre.

“Mesazhi im është goxha pozitiv. Për shembull unë jam pjesë e kësaj organizate qe 12 vjet, me e krahasuar situatën si ka qenë para 10 viteve edhe tash, me të vërtetë ka ndryshime pozitive si në vetëdijen e njerëzve, të shoqërisë, të institucioneve dhe kjo është një gjë shumë e mirë, për shkak se kjo temë nuk është një çështje që flitet lehtë në të gjithë botën jo vetëm tek ne, akoma është një temë tabu. Dhe ne kemi shkuar në hapa të shoqërive të tjera. Ndryshimet janë pozitive, mirëpo ne nuk duhet të kënaqemi këtë që kemi arritur. Prapë falënderimet i shkojnë edhe presidentes por më së shumti të mbijetuarave që e kanë gjetur guximin që të flasin e pikë se pari të kërkojnë të drejtat e tyre dhe me shërbyer si model i tyre për të tjera të mbijetuara si ato”, është shprehur Pacolli - Krasniqi.

 

Image

 

Ajo për fund ka thënë se kjo kampanjë nuk e ka pasur qëllimin e vetëm dhurimin e fustaneve, por që siç është shprehur ajo, njerëzit duke dhuruar fustanet e tyre në një mënyrë apo tjetrën, e kuptojnë edhe çfarë kanë përjetuar këto gra. “Nuk ka qenë i gjithë qëllimi që vetëm të dhurohet një fustan, derisa ti e dhuron një fustan mendon për çfarë po e jep, a thua çfarë efekti do të ketë edhe mendon se për çfarë kanë mundur të përjetojnë këto të mbijetuara gjatë luftës. Ky është vetëdijesimi që arrihet. Kështu që ne ende nuk jemi në atë stadin që dëshirojmë, por me rëndësi është që jemi duke përparuar dhe jemi duke shkuar në drejtim pozitiv”, është shprehur Pacolli - Krasniqi. Kjo iniciativë do të përfundoj më 12 qershor dhe në këtë ditë në stadiumin e Prishtinës do të jetë prezentë edhe presidentja Atifete Jahjaga dhe shumë personalitete të tjera. /Zëri/