Çka thotë BE-ja për hyrjen e xhandarmërisë serbe brenda territorit të Kosovës?

Çka thotë BE-ja për hyrjen e xhandarmërisë serbe brenda territorit të Kosovës?

Aktuale August 11, 2020 - 07:51

Bashkimi Evropian është në dijeni për hyrjen e xhandarmërisë serbe në territorin e Kosovës.

Të shtunën që e lamë pas (7 gusht) xhandarmëria serbe ka hyrë në territorin e Kosovës, konkretisht në fshatin Karaçevë të Kamenicës.

Hyrja e tyre kishte ngjallur frikë te banorët dhe reagime të ndryshme nga skena politike.

Ndërkaq, ka qenë vetë KFOR-i që është deklaruar rreth hyrjes së tyre, pasi kjo pjesë e territorit të Kosovës është nën kompetencë të tyre.

Sipas KFOR-it, në Karaçevë ishin kryer patrullime të sinkronizuara e që sipas tyre patrullime të tilla realizohen që nga viti 2008.

“Më 07 gusht 2020, rreth orës 17:20, elementët e KFOR-it nga komanda rajonale ‘Lindje’ zhvilluan një patrullë të sinkronizuar me homologët e Forcave të Armatosura Serbe në Linjën Kufitare Administrative në afërsi të fshatit Hodonoc, në komunën e Kamenicës. Që nga viti 2008 patrullimet e sinkronizuara zhvillohen në mënyrë rutinore së bashku nga KFOR-in dhe Forcat e Armatosura Serbe përgjatë vijës kufitare administrative për të ofruar siguri dhe për t’u siguruar që nuk ka aksidente. Në këtë drejtim KFOR-i gjithashtu zhvillon patrulla të përbashkëta me organizatat e sigurisë së Kosovës në afërsi të vijës kufitare administrative”, thuhej në sqarimin e KFOR-it.

Zëdhënësi kryesor i Shërbimit Evropian për Punë të Jashtme në Bashkimin Evropian, Peter Stano, nuk ka dhënë ndonjë koment, por thjesht ka bërë të ditur se e kanë parë reagimin e KFOR-it, duke thënë se për detaje të tjera duhet t’u referoheni autoriteteve kosovare.

“Ne kemi parë informacionin e dhënë nga KFOR-i të shtunën. Pyetjet e mëtejmë duhet t’u drejtohen atyre ose autoriteteve kompetente të Kosovës”, ka thënë Stano për “Lajmi.net”.

Dy ditë pasi xhandarët serbë u panë duke patrulluar në Karaçevë, në të njëjtën zonë është incizuar duke patrulluar edhe Policia e Kosovës.

Në anën tjetër, gjatë së dielës ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj, ka thënë se patrullimi i xhandarmërisë serbe në territorin e Kosovës ka qenë i paautorizuar, pasi askush ka mandat të bëjë patrullime me xhandarmerinë serbe brenda territorit të Kosovës.