Banorët e Karaçevës do të protestojnë të mërkurën kundër hyrjes së xhandarmërisë serbe

Banorët e Karaçevës do të protestojnë të mërkurën kundër hyrjes së xhandarmërisë serbe

Aktuale August 10, 2020 - 11:16

Të pasigurt për jetën e tyre pas hyrjes së xhandarmërisë serbe në fshatin Karaçevë, banorët e brezit kufitar me Serbinë do të protestojnë të mërkurën.

Ata kanë ftuar gjithë qytetarët e Kosovës që t’i përkrahin me pjesëmarrje në këtë protestë.

“Banorët e fshatit Karaçevë të komunës së Kamenicës vazhdojnë të jenë të shqetësuar pas hyrjes së xhandarmërisë serbe në këtë vend”, ka thënë për “Zërin” përfaqësuesi i Bashkësisë Lokale për fshatin Karaçevë, Selver Lenjani.

Lenjani ka konfirmuar se të mërkurën, me fillim në orën 12:30, banorët e fshatit nën organizimin e Bashkësisë Lokale do të mbajnë një protestë kundër zhvillimeve të fundit. Protesta ai tha se do të mbahet te pika kufitare me Serbinë.

“Kërkojmë që ta marrin më shumë parasysh situatën e Karaçevës. Qytetarët janë të shqetësuar, këto që po ndodhin nuk janë në rregull. Ftojmë të gjithë që të jenë pjesëmarrës në këtë protestë”, theksoi Lenjani.

Po ashtu ai deklaroi se pas ngjarjes ende nuk ka pasur vizita në këtë fshat nga ndonjë zyrtar shtetëror.

Lenjani ka bërë të ditur se janë vetëm pjesëtarët e Policisë së Kosovës që kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po patrullojnë atje. /Zëri