Veliu konfirmon se KFOR-i u alarmua nga mediat për xhandarmërinë serbe

Veliu konfirmon se KFOR-i u alarmua nga mediat për xhandarmërinë serbe

Aktuale August 08, 2020 - 18:57

Pas shqetësimeve të ngritura në media nga qytetarët e Republikës së Kosovës, si dhe letrës publike të kryetarit të komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, në lidhje me hyrjen e forcave të xhandarmërisë serbe në territorin e Republikës së Kosovës, përkatësisht, në fshatin Karaçevë në Kamenicës, ministri i Brendshëm, Agim Veliu lajmëron se ka zhvilluar takim pune me Komandantin e KFOR-it, Gjeneral Majorin Michele Risi, me të cilin ka diskutuar për çështjen në fjalë.

Sipas Veliut Komandanti Risi e njoftoi se KFOR-i ishte alarmuar për këtë incident nga raportimet e mediave.

“Një veprim i tillë ka qenë vetëm një patrullim i përbashkët rutinor dhe i sinkronizuar i KFOR-it dhe i Forcave teë Armatosura të Republikës së Serbisë, me të cilët që nga viti 2008, KFOR-i zhvillon patrullime të përbashkëta përgjatë vijës kufitare. Pra, ky ka qenë vetëm një patrullim i përbashkët”, shkruan ti ketë thënë Risi ministrit Veliu.

Tutje ministri i Brendshëm përcjell se aktivitete të tilla të sinkronizuara mbahen si me Forcat Serbe ashtu edhe ato të Republikës së Kosovës, në mënyrë që të evitohet çfarëdo përplasje ndërmjet pjesëtarëve të dy forcave.

“Mirëpres, faktin se në të kaluarën janë organizuar patrullime të përbashkëta të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës, duke kërkuar njëkohësisht që patrullimet e tilla të ri-fillojnë edhe në këtë pjesë të Kosovës, iniciativë e cila u mirëprit edhe nga ana e Gjeneralit Risi, i cili tha se janë të gatshëm ta asistojnë Policinë e Kosovës dhe të rifillojnë aktivitetet e tilla”, shkruan ai.

Në fund ministri Veliu porosit se me Komandantin Rissi u dakorduan që KFOR-i dhe Policia e Kosovës të takohen dhe të diskutojnë mbi modalitetet për rifillimin e patrullimeve të përbashkëta e të sinkronizuara përgjatë vijës kufitare me Serbinë. /Zëri