Bahtiri: Tubimi i këngëtarit “Mozzik” në Mitrovicë u bë me lejen e Qeverisë pa e pyetur komunën

Bahtiri: Tubimi i këngëtarit “Mozzik” në Mitrovicë u bë me lejen e Qeverisë pa e pyetur komunën

Aktuale August 08, 2020 - 18:45

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri përmes llogarisë në “Facebook” ka shkruar se tubimit të organizuar nga këngëtari Gramoz Aliu “Mozzik” në Mitrovicë i është dhënë leje nga Qeveria e Kosovës pa e pyetur fare komunën dhe pa një dakordim të përbashkët.

Sipas Bahtirit me këtë rast janë shkelur të gjitha udhëzimet e dhëna nga institucionet shëndetësore për masat mbrojtëse ndaj koronavirusit COVID-19.

“Kjo Qeveri me çdo veprim të saj po tregon që është e papërgjegjshme dhe nuk i shërben jetës së qytetarëve të Kosovës. inspektorët komunal me vetëmohim po e kryejnë punën e tyre çdo ditë, në bashkëpunim të plotë edhe me stacionin policor ne Mitrovicë, po leje të tilla të dhëna nga niveli qendror tregojnë se kjo Qeveri mbron vetëm interesa grupore dhe nuk janë të interesuar për bashkëpunim ndër-institucional në të mirë të të gjithë qytetarëve”, ka shkruar ai, përcjell “Zëri”.

I pari i Mitrovicës ka bërë të ditur se nga e hëna komuna e Mitrovicës do të ndërmerr veprime të reja në shërbim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve, por tash për tash do ta marrim vet përsipër mbrojtjen nga COVID-19 “sepse ata që e vodhën pushtetin qendror vetëm dëme me efekte të pariparueshme po shkaktojnë”.

Në fund Bahtiri thotë se ka respekt për gjithë këngëtarët, por veprimi i sotëm është i papranueshëm dhe i dëmshëm. /Zëri