Hoti thumbon Haradinajn thotë se nuk ka vend për deklarata pompoze e defilime në Karaçevë
Foto: Facebook - Ramush Haradinaj

Hoti thumbon Haradinajn thotë se nuk ka vend për deklarata pompoze e defilime në Karaçevë

Aktuale August 08, 2020 - 18:05

Pas raportimit për futjen e trupave të xhanndarmërisë serbe brenda territorit të Kosovës kreu i vendit, Avdullah Hoti, përmes llogarisë në “Facebook” ka shkruar se sot ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu është takuar me Komandantin e KFOR-it, Gjeneralin Risi, me të cilin kam komunikuar edhe vetë mbrëmë dhe sot, ndërsa ka paralajmëruar se do ta vizitojë së shpejti këtë pjesë të Kosovës.

“Në këtë takim është sqaruar se si ka ndodhur kjo ngjarje. Kam qenë në komunikim edhe me Kryetarin e Kamenicës, Qëndron Kastrati, me të cilin së shpejti do të vizitojmë qytetarët tanë në ato fshatra”, ka thënë Hoti deri sa ka theksuar se siguria në Kosovë nuk mund të rrezikohet nga askush dhe se “nuk ka vend për panik, dhe as nevojë për deklarata pompoze e defilime në vendngjarje, pa pasur idenë se si ka ndodhur ngjarja”.

Hoti potencon se kufijtë e Republikës së Kosovës janë të sigurt dhe të njohur ndërkombëtarisht nga pjesa më e fuqishme dhe demokratike e botës.

Ai paralajmëron se në ditët në vijim do të merren veprime konkrete nga institucionet e sigurisë së Kosovës, në koordinim me mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë, përfshirë këtu patrullimet e përbashkëta me KFOR-in.