Pas raportimit për xhandarmëri serbe brenda Kosovës, Policia e njofton KFOR-in

Pas raportimit për xhandarmëri serbe brenda Kosovës, Policia e njofton KFOR-in

Aktuale August 07, 2020 - 22:12

Videoja e publikuar ku shihen ushtarë të xhandarmërisë serbe brenda një parkingu të nje restoranti në brezin kufitar të Kosovës me Serbinë, në fshatin Karaçevë të Kamenicës, ka ngritur alarm tek qytetarët që jetojnë në atë pjesë.

Pas videos së lart përmendur të publikuar nga Adhurim Krasniqi, pronar i këtij restoranti, fakte për ktë ngjarje ka ofruar edhe ish-kryetari i Kamenicës, Shaip Surdulli. Ai ka publikuar dy fotografi ku shihen pjesëtarët e xhandarmërisë serbe afër shtëpsië së tij.

Shqetësimin për këto lëvizje qytetarët e Kosovës e kanë ngritur edhe në Policinë e Kosovës, të cilët me të marrë lajmin me njësitet policore kufitare kanë reaguar menjëherë duke shkuar dhe patrulluar tek vendi ku është raportuar rasti.

Zyra për Informim e Policisë së Kosovës (ZIMP) në përgjigje me shkrim për “Zëri-n”, thotë se njësitet policore nuk kanë hasur në atë lokacion ndonjë njësi apo siç është informuar për ushtri të Serbisë.

“Njësitet policore kanë bërë shikimin e vendit sipas koordinatave si dhe kanë bërë patrullime dhe vëzhgime në atë zone”, thuhet në këtë përgjigje.

Përpos patrullimit Zyra për Informim e Policisë së Kosovës thotë se “Është njoftuar edhe KFOR-i, pasi që mandatin e sigurisë së zonës së kufirit me Serbinë, ende e ka KFOR-I”. /Zëri