Dhurohen 24 mijë maska, 900 palë veshje mbrojtëse dhe 990 dezinfektues për Spitalin e Ferizajt

Dhurohen 24 mijë maska, 900 palë veshje mbrojtëse dhe 990 dezinfektues për Spitalin e Ferizajt

Aktuale August 06, 2020 - 14:59

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka vizituar sot Spitalin e Përgjithshëm të Ferizajt.

Gjatë kësaj vizite, në takim me Drejtorin e Spitalit të Ferizajt, Jeton Zeqiri, u informuar për punën që po bëhet në këtë spital për menaxhimin e situatës me pandemi si dhe me sëmundjet e tjera.

“Gjatë kësaj vizite, këtij spitali iu dërguan edhe 2 respiratorë dhe një autoambulancë, pjesë e kontigjentit të asistencës së BE-së për Kosovën për t’iu përgjigjur situatës me Covid-19, derisa një ditë më parë, MSh ka furnizuar spitalin me mjete të tjera mbrojtëse profesionale: 24 mijë maska, 900 palë veshje mbrojtëse, 990 dezinfektues”, thuhet në komunikatën për medie të Ministrisë së Shëndetësisë.

Ministri Zemaj tha se, bashkë me SHSKUK-në, këto ditë janë angazhuar drejtpërdrejt në zgjerimin e kapaciteteve spitalore për të përballuar fluksin e rritur të pacientëve që kanë nevojë për trajtim spitalor si në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ashtu edhe në

spitalet e përgjithshme.

“Krahas zgjerimit të kapaciteteve për tretman spitalor, jemi duke rritur edhe numrin e personelit dhe, gjithashtu, edhe duke zhvilluar procedura edhe për rritjen e kapaciteteve diagnostikuese përmes shtrirjes së testimeve edhe në Qendrat Rajonale të Shëndetësisë Publike. Në këtë mes, edhe QRSHP në Ferizaj do të pajisjet me aparaturën për testime molekulare, ndërkohë që, nga stafi i ri që do të rekrutohen, një numër do të jetë për Spitalin e Ferizajt”, tha Zemaj.

Drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, tha se kjo qendër ka bërë decentralizimin e shërbimeve me qëllim që pacientëve në secilin rajon t’u ofrohen më lehtë shërbimet, derisa, krahas sfidave ditore për trajtimin e pacientëve me Covid-19, po ngrihen edhe kapacitete të reja në këtë kohë mjaft sfiduese.

Po ashtu, drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, theksoi se QRSHP -Ferizaj do të mund të nis me testime me vendosjen e aparaturës së re në këtë qendër, derisa një pjesë e objektit të ri, do të mund të jetë edhe në funksion të rritjes së shtretërve për trajtimin e pacientëve të prekur nga Covid-19, sidomos në stinën e vjeshtës.

Drejtori i Spitalit të Ferizajt, Jeton Zeqiri njoftoi se ky spital ka vënë në funksion të trajtimit të pacientëve me Covid-19 rreth 70 shtretër, ndërsa personali po jep maksimumin./Zëri

Image