Milionerët e PDK-së dhe të LDK-së

Milionerët e PDK-së dhe të LDK-së

Aktuale August 06, 2020 - 14:36

PDK-ja dhe LDK-ja të paktën kanë nga një milioner në partitë e tyre.

Në PDK është nënkryetari i saj Xhavit Haliti, i cili në Agjencinë Kundër Korrupsionit ka deklaruar pasuri në vlerë mbi një milion euro, shkruan “Zëri.info”.

Haliti ka deklaruar si pasuri të paluajtshme dy shtëpi, një banesë dhe tokë, të cilat kapin vlerën e 1.2 milion eurove, në këtë pjesë ai ka sqaruar se hisedarë në pronë të trashëguar nga babai janë edhe nëna, vëllezërit dhe motrat e tij.

Ndërsa ai bashkë me bashkëshorten e tij nuk qëndrojnë keq as nga pasuria e luajtshme, ku ka deklaruar veturën në vlerë prej 5 mijë eurove dhe stoli ari në vlerë prej 25 mijë eurove. Para të gatshme në bankë ish-deputeti i PDK-së ka deklaruar mbi 148 mijë euro. Si burim i të ardhurave Haliti ka deklaruar punën në Kuvendin e Kosovës, ku bashkë me pagën dhe mëditjet në vit ka marrë mbi 33 mijë euro.

Milioneri i LDK-së

Miliona në pasuri të paluajtshme ka deklaruar edhe sekretari i LDK-së, i cili tani është ministër i Infrastrukturës, Arban Abrashi.

Si pronë ta paluajtshme në vlerë prej 1.1 milion eurove Abrashi ka deklaruar dy banesa, një shtëpi, truall dhe pronë e përbashkët e familjes së gjerë. Abrashi që nga viti 2007 nget veturë në vlerë prej 4500 eurove, të cilën thotë se e ka blerë nga paga dhe kursimet, shkruan “Zëri.info”.

Mes të tjerash, ai ka deklaruar se ka në bankë mbi 49 mijë euro, ndërkohë bashkë me bashkëshorten e tij është “i zhytur” në kredi me 183 mijë euro. Ish-deputeti i LDK-së ka deklaruar të ardhura në vlerë mbi 20 mijë euro nga Kuvendi i Kosovës. /Zëri