ORCA: Ministri plagjiator tenton ta kapë totalisht arsimin

ORCA: Ministri plagjiator tenton ta kapë totalisht arsimin

Aktuale August 06, 2020 - 12:46

ORCA e dënon emërimin në mënyrë jotransparente të anëtarit të ri të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Binak Beqaj. ORCA është e shqetësuar me komoditetin e Beqajt për të deklaruar në medie se është anëtar i AAK-së e po ashtu me komoditetin e ministrit plagjiator të Arsimit Ramë Likaj për të bërë emërime politike. Për më tepër, në vështrimin tonë të parë të punës shkencore të anëtarit të ri të KSHC-së del se është nën mesataren e profesorëve të Universitetit të Prishtinës.

Në anën tjetër, ministri plagjiator, përmes anëtarëve të vet në Këshillin Drejtues të UP-së, e ka bllokuar procesin e zgjedhjes së rektorit pasi ka dështuar tentativa e parë për kapje të pozitës së rektorit përmes Zenun Halilit, i cili doli se ka konflikt interesi. Kalendari i procesit për zgjedhjen e rektorit është anashkaluar për t’u orvatur që përmes Agjencisë Kundër Korrupsionit ose në ndonjë formë tjetër të prishet i tërë procesi ashtu që Halili të zëvendësohet me një kandidat tjetër nga radhët e partisë së ministrit plagjiator.

Ministri plagjiator nuk po ndalet dhe ka vazhduar me tentativën e radhës për kapje institucionale, duke emëruar në Këshillin Shtetëror të Cilësisë një anëtar tjetër të AAK-së në mënyrën më jotransparente, madje duke mos e shpallur vetë emërimin, por duke u zbuluar nga mediet siç ndodh rëndom me klandestinime të tilla.

ORCA i bën thirrje shoqërisë kosovare për mobilizim, në veçanti OJQ-ve dhe aktivistëve, që të ndalet degradimi i mëtejmë i arsimit, përndryshe shoqëria jonë do të përballet me katastrofa sociale në të ardhmen, të cilat do të jenë të pakrahasueshme me situatën e katastrofës natyrore nëpër të cilën po kalojmë sot.